Shkup, 2 nëntor – “Partneritet për vetëqeverisje të qëndrueshme lokale” titullohet Forumi i dytë vjetor për vetëqeverisjen lokale i cili do të mbahet sot në Shkup në kuadër të projektit të USAID-it për përforcimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e resurseve.
Në forum do të prezantohen ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për financim të Njësive të Vetëqeverisjes Lokale me referencë të veçantë mbi jostabilitetin financiar, udhëzuesin për aktivitet të komunave në kushte të paqëndrueshmërisë financiare dhe Kodit për transparencë aktive në vend i përpiluar nga Projekti i USAID-it për forcimin e kapaciteteve për shfrytëzim të resurseve.
Siç bëhet e ditur nga organizatorët, në forum do të kenë fjalim ministrat e Financave dhe Vetëqeverisjes Lokale, Fatmir Besimi dhe Risto Penov, zëvendës shefi i misionit në Ambasadën e SHBA-së, Erik Mejer si dhe përfaqësues të Projektit të USAID-it për forcimin e kapaciteteve për shfrytëzimin e resurseve.
Është paralajmëruar edhe prania e përfaqësuesve të institucioneve të pushtetit qendror, kryetarëve të komunave si dhe përfaqësuesve të Komisionit parlamentar për Vetëqeverisje Lokale, Bashkësisë së Njësive të Vetëqeverisjes Lokale (BNJVL), Entit shtetëror për revizion dhe bashkësisë së donatorëve.