GazetaMax
Lajme

“Pashallëku, dështimi dhe debakli i Arsovskës/ Për 10 muaj shkarkoi 12 drejtorë, 4 dhanë dorëheqje (foto)

Shkruan: Agjencia e lajmeve Zhurnal

Shkup, 13 shtator – Ishte data 8 nëntor 2021 kur kryetarja aktuale e Qytetit të Shkupit mori detyrën e saj të re nga ish kryetari i kryeqytetit, Petre Shilegov. Pa kaluar ende 1 vit nga marja e detyrës, Danella Arsovska deri tani ishte pre e kritikave të shumta në funksionimin e saj lidhur me komunën. Kritikat më të shumta kohëve të fundit janë me higjienën publike nëpër kryeqytet, që pas largimit të ish drejtorit Zudi Enuzi Koka, Shkupi ka filluar të ngulfatet në mbeturina, shkruan Zhurnal.

Qyteti i Shkupit përbëhet nga tetë ndërmarje publike, e secila prej tyre ka rëndësinë e vet në funksionimin e qytetit, për t’ua lehtësuar jetën dhe shërbimet qytetarëve.

Kryetarja aktuale e Shkupit, Danella Arsovska, në zgjedhjet e fundit lokale ishte e mbështetur masovikisht nga koalicioni shqiptar, Alternativa – Aleanca për Shqiptarët. Ajo gjithashtu mori mbështetje edhe nga VMRO-DPMNE-ja opozitare, por sot, ende pa përfunduar 1 vit nga zgjedhjet lokale, ajo ka mbetur pa mbështetjen e asnjërit, ndonëse nuk i nevojitet më mbështetja e asnjë partie pasi ajo fitoi atë që deshti.

Që nga ardhja e saj në pushtetin lokal në Shkup, besoni apo jo, ka shkarkuar gjithsej 12 drejtorë si dhe së fundmi shkarkoi edhe sekretarin gjeneral të komunës, Gjoko Vellkovskin, ndërsa dorëheqje deri tani kanë dhënë 4 drejtorë përshkak se nuk arrinin të bashkëpunojnë me Arsovskën.

Ky i fundit, së bashku me drejtorin e “NP Ujësjellësi dhe Kanalizime” Zllatko Perinski, dyshohen për ndikim në një tender me vlerë 136 milion euro. Edhe pse Perinski e mohon këtë gjë dhe e dëshmon krejtësisht të kundërtën, Arsovska dje tentoi të pengojë atë të sqarojë gjitha çështjet në një konferencë për media, duke ndërhyrë në konferencën e Perinskit. Arsovska i kishte kërkuar Perinskit të ndryshojë gjithë komisionin për vlerësim për përzgjedhjen e kryerësit të tenderit duke mos dhënë asnjë arsye. Perinski kishte kërkuar nga Banka Investuese EVropiane mendim për këtë, ndërsa ata janë përgjigjur negativisht, respektivisht se nuk ka nevojë të bëhet një gjë e tillë, shkruan Zhurnal.

Zllatko Perinski – Gjoko Vellkovski

Sa i përket NP “Ujësjellësi dhe Kanalizime”, Arsovska, Perinskin e kishte emëruar pas shkarkimit të drejtorit të mëparshëm Dushko Veskovski. Por ja që edhe atje tanimë ka një drejtor të ri e ai është Marjançe Mitevski. Ai edhe ashtu ishte i punësuar deri tani në këtë institucion.

Me të ardhur në pushtet, Arsovska shkarkoi disa drejtorë të cilët ishin emëruar nga ish kryetari Petre Shilegov.

Duke filluar nga Higjiena Komunale, Arsovska shkarkoi Abdusamed Shabanin nga radhët e BDI-së, dhe në vend të tij emëroi Zudi Enuzin nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Pas një incidenti në Çarshinë e Shkupit, ku me revole gjuajti vëllau i Zudi Enuzit, ky i fundit u shkarkua nga detyra “për fajin e vëllait”. Arsovska ishte shprehur edhe pse Zudi Enuzi ka kryer me shumë profesionalitet të gjitha detyrat e tij, incidenti me armë nga vëllau i tij nuk mund t’i falet atij. Kështu, edhe Zudi Enuzi hyri në radhët e drejtorëve të shkarkuar. Për momentin, për 10 muaj, Higjiena Komunale ka drejtorin e tretë me radhë, Kosana Mazneva.

Abdusamed Shabani – Zudi Enuzi Koka

Në NP “Parqe dhe Gjelbërime” Arsovska me të ardhur në pushtet shkarkoi nga detyra drejtor, Ardijan Muçën nga Bashkimi Demokratik për Integirm. Arsyeja për këtë ishte thjeshtë sepse duheshte të emërojë drjetorë të VMRO-së. Me të larguar Muça, u larguan edhe qindra shqiptarë të punësuar në këtë ndërmarje. Në vend të Muçës, u emërua Angelle Sotirovski. Me këtë ndërmarje në fakt vazhdimisht ka menaxhuar kuadër nga Partia Socialiste. Më parë, Koce Trajanovski pati emëruar Ljupço Dimovskin dhe Dushan Aviroviqin në këtë pozitë. Edhe Sotirovski tani vjen poashtu nga Partia Socialiste, parti kjo në koalicion me VMRO-DPMNE-në.

Angele Sotirovski – Ardijan Muça

Duke kaluar në Ndërmarjen Publike “Parkingu i Qytetit”, mund të vërejmë se edhe këtu pati ndryshim të drejtorit. Nga ardhja e Arsovskës, në këtë ndërmarje Filip Pashu ishte caktuar si u.d drejtor derisa të emërohet një drejtor i ri. Kjo zgjati vetëm 10 ditë. Pas 10 ditëve Arsovska emëroi si drejtor Bojan Hristovskin i cili deri në atë moment ka qenë i punësuar në Ministrinë për Punë të Brendshme. Por duke shkruar këtë lajm, erdhi informata se edhe Bojan Hristovski ka dhënë dorëheqje nga posti i tij si drejtor i “Parkingu i Qytetit”. Në këtë funksion, ai qëndroi vetëm tetë muaj. Si arsye për dorëheqjen e tij, ai ka njoftuar se nuk ka dashur të jetë pjesë e një sistemi ku prioritet nuk janë projektet dhe qëllimet ndërsa Arsovska nuk është fare e interesuar për mbështetje të projekteve. Ai thotë se Qyteti i Shkupit është sistem i komplikuar për menaxhim institucional, informon Zhurnal.

Filip Pashu – Bojan Hristovski

Në Ndërmarjen Publike “Rrugë dhe Rrugica”, me të ardhur Arsovska, shkarkoi drejtorin Goran Simonovskin dhe në vend të tij emëroi Boris Nastovin. Nastov është inzhinier makinerik i diplomuar me përvojë pune në Granit AD Shkup si dhe institucione tjera.

Boris Nastov

Në Ndërmarjen Publike “Ndërmarja e Transportit Publik”, Arsovska në dhjetor të vitit të kaluar shkarkoi drejtorin e kësaj ndërmarje, Kristijan Çushkovin, ndërsa në vend të tij ka emëruar Ivan Ilievskin. Ky i fundit nuk mundi të qëndrojë më tepër se gjashtë muaj në këtë pozitë dhe dha dorëheqje. Në vendin e Ilievskit është emëruar një i punësuar në këtë ndërmarje, e ai është Aleksandar Stojkovski nga radhët e LSDM-së.

Ivan Ilievski – Aleksandar Stojkovski

Kalojmë te “Drislla”. Deponia e Drisllas është hapur në vitin 1994 dhe gjendet në pjesën juglindore të qytetit, 14 km larg nga qendra. Me të ardhur në pushtet, Arsovska më 2 dhjetor 2021 në këtë institucion shkarkoi drejtorin Kosta Naçevski, ndërsa në vend të tij emëroi Jane Micevskin. Jane Micevski në zgjedhjet e fundit lokale ishte bartës liste nga radhët e VMRO-DPMNE-së në komunën e Sopishtes. Gjithashtu sot në mesditë, dorëheqje dha edhe Jane Micevski. Si duket VMRO-DPMNE e ka marë me shumë seriozitet hidhërimin me Arsovskën dhe drejtorët nga radhët e DPMNE-së në Qytet të Shkupit, po japin dorëheqje. Edhe për Micevskin arsyeja për dorëheqje është mos bashkëpunimi me Arsovskën.

Jane Micevski

Ndërmarja Publike për mirëqenien e kafshëve endacakë, “Llajka”, gjithashtu u bë me drejtor të ri nga Arsovska.

Në këtë ndërmarje, Arsovska shkarkoi drejtoreshën Tina Petrushevska, ndërsa në vendin e saj ka emëruar Voisllav Dimitrovskin. Dimitrovski ka qenë propozim i shoqatave për mbrojtje të kafshëve, shkruan Zhurnal. Ai është magjistër në fushën e veterinarisë. Llajka është formuar në vitin 2019 nga ish kryetari i Shkupit, Petre Shilegov.

Tina Petrushevska – Voisllav Dimitrovski

Sa i përket Kopshtit Zoologjik, e cila nuk është ndërmarje publike por është nën menaxhim të qytetit të Shkupit, edhe këtu pati ndryshim dy herë në postin e drejtorit që nga ardhja e Arsovskës. Gjorgji Galetanovski i cili menaxhoi me shumë sukses këtë institucion, dha dorëheqje në muajin dhjetor të vitit të kaluar. Në vend të tij Arsovska emëroi Kristijan Stamenovin, por ky i fundit, u bë viktimë nëpër media pasi në muajin korrik therri 10 kuaj të kopshtit dhe mishin e tyre ua hodhi si ushqim kafshëve të egra në kopshtin zoologjik. Në vendin e Stamenovit, tre javë më vonë erdhi Dragan Ilievski.

Gjorgi Galetanovski – Kristijan Stamenov

Sipas të gjitha këtyre ngjarjeve dhe informatave, i bie që Arsovska gjithsej ka shkarkuar 12 drejtorë të ndërmarjeve publike për vetëm 10 muaj punë. Këto shifra dhe këto ndryshime nuk mbahet mend ndonjëherë të kenë ndodhur më parë. Shtrohet pyetja dhe dyshimet nëse Arsovska është e paaftë të bashkëpunojë me kolegët e saj, apo vallë bëhet fjalë për interesa personale, apo me të vërtetë Arsovska po lufton korrupsionin dhe nuk lejon drejtorët të marin veprime jo të lejuara sa i përket tenderëve.

Ajo që është më interesante dhe e dëshmon se bashkëpunimi me Arsovskën është i vështirë, është fakti që qyteti i Shkupit tanimë gati një vit nuk ka zëdhënës për kontakt me media. Mediat shumë vështirë arrijnë deri te një përgjigje nga qyteti i Shkupit, thuajse fare nuk arrijnë. Ajo asnjëherë nuk u është përgjigjur thirrjeve nga gazetarët.

Kur Arsovska erdhi në pushtet, zëdhënësi i mëparshëm Valon Salihu dha dorëheqje dhe në vend të tij Arsovska angazoi një person tjetër të panjohur në këtë vend. Pa kaluar ende një muaj i njejti iku sepse nuk mund të gjente gjuhë të përbashkët me Arsovskën. Që nga ajo ditë, nuk paraqitet askush për t’u emëruar zëdhënës në Shkup.

Në mënyrë qesharake dhe mjeruese dje në konferencën për media Arsovska e konfirmoi faktin që askush nuk dëshiron të bëhet zëdhënës dhe ftoi gazetarët nëse dëshirojnë të bëhen zëdhënës.

“Askush nuk dëshiron të bëhet zëdhënës. Ejani pra ndonjëri prej jush bëhuni zëdhënës i qytetit”, tha Arsovska.

Arsovska nuk komunikon as me udhëheqësit e sektorëve në qytet. Që kur erdhi në pushtet, ka mbajtur vetëm një mbledhje në fillim e më pas i gjithë komunikimi është zhvilluar përmes sekretarit tanimë të shkrkuar, Gjoko Vellkovski.

Ndryshe dje edhe kryetari i komunës së Shuto Orizarit, Kurto Dudush doli në protesta së bashku me bashkëqytetarët romë nga kjo komunë, ndërsa i bëri thirrje Arsovskës për bashkëpunim sepse ajo është shumë e mbyllur në këtë çështje. Dudush tha se as numrin e telefonit të saj nuk e ka.

Shumë qytetarë të Shkupit së fundmi janë penduar për atë që kanë votuar Arsovskën si të parën e Shkupit, pasi ajo premtoi transport falas për të gjithë qytetarët si dhe 250 autobusë të rinj ekologjik, por asnjëra nga këto me shumë mundësi nuk do të realizohet. Këto nuk janë arsye të vetme. Në Shkup gjithçka po shkon mbrapsht, e veçanërisht komunat shqiptare tanimë për një vit nuk kanë lëvizur në asnjë kontekst për të përmirësuar kushtet komunale. Shkupjanët janë penduar që larguan Shilegovin nga Shkupi, edhe pse ky i fundit për 4 vite punoi aq sa kanë punuar për 40 vite kryetarët e mëparshëm, veçanërisht për çairasit, duke patur parasysh që gati gjithë Çairin përreth e shtroi me asfaltim të ri si dhe hapi bulevarin e ri që lidhë Çairin me Radishanin./Zhurnal.mk

Related posts

LSM: Deputetët e LSDM dhe BDI anuluan amendamentin për rritjen e pagave për administratën

Gazetamax.mk

Borell: Dënoj fuqishëm çdo thirrje për dhunë

Gazetamax.mk

Petkov: Kemi dëshirë të gjejmë zgjidhje reciproke të pranueshme për çështjet e hapura me Shkupin

Gazetamax.mk