GazetaMax
LAJME

Pavllova: Të ruhet mbështetja për kompanitë më të prekura nga konflikti ukraino-rus

Shkup, 25 prill – Është me rëndësi që të ruhet mbështetja veçanërisht ndaj qytetarëve me të ardhura të ulëta të cilët pjesën më të madhe të buxhetit të tyre e shpenzojnë për ushqim dhe energji dhe ndaj kompanive që janë më të prekura nga tronditja më e re e shkaktuar nga konflikti ruso-ukrainas, porositë nënkryetarja e Bankës Evropiane të Investimeve përgjegjëse për Ballkanin Perëndimor, Liljana Pavllova, në intervistën për MIA-n.

Në intervistën e bërë në prag të ardhjes së saj në vend me rastin e 30 vjetorit të pavarësisë monetare, Pavllova vlerëson se përkundër efekteve të çmimeve nga konflikti ruso ukrainas, disa shtete nga Ballkani Perëndimor siç janë Serbia, Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut mund të jenë të prekura në mënyrë plotësuese meqë janë kryesisht të varura nga gazi rus. Ka shumë gjasa, shprehet Pavllova, se presionet e çmimeve do të jenë më këmbëngulëse sesa ato të parashikuara paraprakisht.

“Një kanal tjetër i rëndësishëm është tregtia, ku kompanitë novatore dhe me rritje më të shpejtë me siguri do të preken më shumë. Përfundimisht, të ardhurat nga turizmi nga Rusia janë burim relevant i të ardhurave, veçanërisht për Malin e Zi. Në përgjithësi, ka shumë gjasa që presionet e çmimeve të jenë më këmbëngulëse dhe më të larta sesa ishte parashikuar paraprakisht dhe prandaj do të doja të përsërisja mbështetjen time për masat politike që mbrojnë më të rrezikuarit, duke përfshirë edhe refugjatët”, shprehet Pavllova.

Sipas saj, tronditja e gjeneruar nga pushtimi rus i Ukrainës ka potencialin për t’i dhënë goditje të rëndësishme rimëkëmbjes së shumëpritur pas pandemisë dhe për këtë arsye institucionet financiare ndërkombëtare dhe qeveritë duhet të jenë të përgatitura për të vepruar edhe më fort nëse është e nevojshme.

Ajo bën të ditur se në parashikimet më të reja pritet që ekonomitë në Ballkanin Perëndimor të rriten për diçka mbi tre për qind, gjë që sipas saj, është revizion i konsiderueshëm ulës në krahasim me projeksionet e paraluftës.

Në intervistën, që në tërësi është transmetuar më poshtë, Pavllova porositë se kriza aktuale duhet shikuar si mundësi për zgjidhjen e çështjes shumëvjeçare të ndryshimeve klimatike për arsye se lufta në Ukrainë ka treguar se nevoja për burime të ripërtërishme të energjisë, efikasitet energjetik dhe inovacione teknologjike janë më kyçe sesa kurdoherë deri tani. Pavllova flet edhe për politikat monetare të udhëhequra gjatë 30 viteve të fundit, duke vlerësuar se Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të konsiderueshëm. Ajo zbulon edhe se në konferencën që do të mbahet në Shkup me rastin e 30 viteve të pavarësisë monetare në Maqedoninë e Veriut do të shqyrtohen sfidat kryesore të ekonomive rajonale.

Pas pandemisë, kriza ruso-ukrainase është tronditje e re për ekonominë globale. Qeveria në Maqedoninë e Veriut miratoi pako prej 26 masave në vlerë prej 400 milion euro me qëllim të ruajtjes së standardit jetësor të qytetarëve dhe likuiditetin e kompanive. Si i shikoni efektet e masave të miratuara gjatë krizës së Kovid-19 dhe ku i shihni rreziqet nëse ekonomitë e Ballkanit Perëndimor vazhdojnë të miratojnë pako të reja për ndihmë financiare në kontekst të gjendjes momentale?

– Mbështetja e politikës gjatë pandemisë është më e rëndësishme për mbrojtjen e kompanive dhe bankave, si dhe për mbrojtjen e standardeve jetësore të qytetarëve, duke përfshirë edhe në Maqedoninë e Veriut. Sipas hulumtimit të fundit të ndërmarrjeve për Maqedoninë e Veriut, dy të pestat e ndërmarrjeve janë mbyllur përkohësisht gjatë Kovid-19, ndërsa 70 për qind e tyre përjetuan likuiditet të reduktuar apo arritshmëri të qarkullimit të parave të gatshme. Është e vështirë të imagjinohet se çfarë do të ndodhte nëse ndërhyrjet politike në nivel lokal dhe ndërkombëtar nuk do të ishin aq mbështetëse. Në Maqedoninë e Veriut, kjo lëvizte nga transferime në para të gatshme deri te prolongimi i pagesës, qasje deri te kredi të reja dhe subvencione për paga. Përveç kësaj, bankat nga Anketa gjysmëvjetore e BEI-së për kreditimin e bankave sinjalizon shfrytëzimin e fuqishëm të masave politike. Në përgjithësi, u parandaluan falimentimet, ndërsa kompanitë, bankat dhe amvisëritë mund ta tejkalonin këtë tronditje të madhe.

Pasoja e drejtpërdrejtë e këtyre aktiviteteve ishte rritja e borxhit publik. Duke marrë parasysh situatën e re tragjike në Ukrainë, është e rëndësishme të ruhet mbështetja e orientuar e politikës, veçanërisht për grupet më të rrezikuara. Është e rëndësishme, nga njëra anë të mbrohen njerëzit me të ardhura më të ulëta, që shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit të tyre për ushqim dhe energji, e nga ana tjetër edhe kompanitë që gjithnjë e më shumë janë të prekura nga tronditja më mënyrë të drejtpërdrejt apo tërthore, veçanërisht më shumë ndërmarrjet e orientuara drejt eksportit dhe novatore. Përfundimisht, një numër i caktuar i refugjatëve që kërkojnë strehim në rajonin duhet të jenë të mirëseardhur dhe të mbrojtur. Gjithsesi, me dobësimin e tronditjes, do të nevojitet rrugë e qartë e konsolidimit fiskal, në përputhje me rekomandimet e partnerëve tanë.

Inflacioni shënon rritje në nivel global. Sipas statistikës zyrtare, shpenzimet për jetë në Maqedoninë e Veriut shënuar rritje për 8,8 për qind në mars në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2021. Si e shikoni ndikimin e situatës në Ukrainë mbi ekonomitë e Ballkanit Perëndimor, veçanërisht kur bëhet fjalë për inflacionin? A mbështet BEI-ja Ukrainën dhe vendet tjera të prekura, duke përfshirë Maqedoninë e Veriut?

– Siç e theksuat me të drejtë, tronditja nga lufta në Ukrainë do të transmetohet kryesisht përmes çmimeve më të larta të lëndëve të para këtu në Maqedoninë e Veriut. Përveç efekteve të çmimeve, disa vende të Ballkanit Perëndimor (për shembull, Serbia, Bosnje e Hercegovina, por edhe Maqedonia e Veriut) mund të preken në mënyrë plotësuese, meqë një pjesë e madhe e përzierjes së tyre energjetike bazohet në gazin, i cili kryesisht vjen nga Rusia. Një kanal tjetër i rëndësishëm është tregtia, ku kompanitë novatore dhe me rritje më të shpejtë me siguri do të preken më shumë Përfundimisht, të ardhurat nga turizmi nga Rusia janë burim relevant i të ardhurave, veçanërisht për Malin e Zi.

Në përgjithësi, ka shumë gjasa që presionet e çmimeve të jenë më këmbëngulëse dhe më të larta sesa ishte parashikuar paraprakisht dhe prandaj do të doja të përsërisja mbështetjen time për masat politike që mbrojnë më të rrezikuarit, duke përfshirë edhe refugjatët

Sa i përket mbështetjes nga BEI-ja për Ukrainën, kemi zhvilluar pako për Përgjigje emergjente për solidaritet me Ukrainën të BEI-së dhe aprovuam mbështetje emergjente financiare prej 668 milionë euro për autoritetet ukrainase në mënyrë që t’u ndihmojmë t’i plotësojnë nevojat e tyre financiare. Përveç kësaj, BEI-ja do të vazhdojë me iniciativat e mëtejshme në kuadër të kësaj pakoje, duke përfshirë edhe financimin e nevojave kritike infrastrukturore në Ukrainë dhe ndihmë që të rindërtohet gjithçka që do të shkatërrojë armata ruse. Në të njëjtën kohë, ekspertët tanë në këtë moment janë duke i vlerësuar nevojat e vendeve në fqinjësi të Ukrainës dhe në BE që i presin refugjatët nga Ukraina ose janë të prekur nga lufta në mënyra të tjera. Banka e BE-së punon me autoritetet kombëtare dhe lokale, institucionet promovuese kombëtare dhe palët tjera kontraktuese në mënyrë që t’u mundësojë ndihmë emergjente financiare dhe teknike të këtyre vendeve dhe rajoneve.

Rritja e ekonomisë maqedonase për sivjet është projektuar në 4,6%. Ku i shikoni sfidat kryesore për ekonominë maqedonase dhe atë të Ballkanit Perëndimor?

– Në parashikimet më të fundit, Ballkani Perëndimor pritet të shënojë rritje prej diçka më shumë se 3 për qind sivjet, që është revizion i konsiderueshëm rënës krahasuar me parashikimet e paraluftës.

Është evidente se ndikimi i luftës, veçanërisht gjatësia e saj dhe sanksionet-kontrasanksionet, do të kenë rol më të theksuar. Konflikt i zgjeruar do të varrosë disponimin global dhe rajonal, duke penguar rimëkëmbjen nga pandemia. Aversioni i rritur ndaj rrezikut do ta ulë besimin e konsumatorëve, prodhuesit dhe investitorët, duke prekur aktivitetin investues dhe konsumator.

E prekëm edhe përzgjedhjen me të cilën do të mund të përballen bankat qendrore – rritjen e inflacionit dhe rritjen e butë, së bashku me nevojën për më shumë masa të politikës fiskale në mjedis të niveleve të rritura të borxhit. Përveç kësaj, mutacioni i virusi dhe polarizimi politik janë gjithashtu shqetësim i rëndësishëm për rritjen në afat të shkurtër. Tronditja e gjeneruara nga okupimi rus ka potencial për t’i dhënë goditje të rëndësishme rimëkëmbjes afatgjate pas pandemisë dhe prandaj institucionet dhe qeveritë ndërkombëtare financiare duhet të jenë të përgatitura të veprojnë edhe më fuqishëm nëse është e nevojshme.

A do të ndikojë situata aktuale në ambicjet për implementimin e Agjendës së gjelbër në rajon?

– Në BEI, janë të bindur se kriza aktuale duhet shikuar si mundësi për zgjidhjen e çështjeve shumëvjeçare të ndryshimeve klimatike. Okupimi i Ukrainës dëshmoi se interesat e përbashkët, siç janë siguria energjetike dhe mbrojtëse, shikohen si gjëra të gatshme. Në mënyrë të ngjashme, kriza dëshmoi se nevoja për burime të ripërtërishme të energjisë, efikasitet energjetik dhe inovacionet teknologjike të përshtatshme për klimën është më kyçe se kurdoherë. Si e tillë, BEI-ja është e gatshme të mbështesë këtë tranzicion, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut.

BEI-ja ka përkushtim të fortë kur bëhet fjalë për aktivitete klimatike, të përcaktuar në Udhërrëfyesin e Bankës Klimatike të lëshuar në vitin 2020. Në vitin 2021, 51 për qind e mjeteve personale janë dedikuar për projekte për aktivitete klimatike dhe qëndrueshmërinë e mjedisit jetësor. Gjithashtu, kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm në Udhërrëfyesin tonë të bankës klimatike duke aprovuar Planin e adaptimit dhe kornizën që na detyron t’u ndihmojmë palëve tona kontraktuese që të harmonizohen me marrëveshjen klimatike të nënshkruar në Paris. Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, BEI-ja nënshkroi investime të qëndrueshme me vlerë prej 257 milion euro vitin e kaluar për të mbështetur dekarbonizimin dhe tranzicionin e gjelbër e rajonit.

Në Maqedoninë e Veriut, do të vazhdojmë të mbështesim zhvillimin e rrjetit efikas, të sigurt dhe të llojllojshëm energjetik, rrjet më të qëndrueshëm transportues dhe kapacitete për ujëra të zeza, si dhe infrastrukturë tjetër rezistuese ndaj ndryshimeve klimatike ose që kontribuojnë në zbutjen e tyre dhe efikasitet energjetik të sektorit privat.

Ku duhet të fokusohet ekonomia maqedonase në periudhën e ardhshme për të dalë më shpejt nga kriza? Cilat janë pengesat kryesore të rritjes në afat të mesëm?

– Si pjesë e ushtrimit që e bëmë së bashku me BERZH-in dhe Bankën Botërore, ua parashtruam pyetjen e njëjtë ndërmarrjeve të sektorit privat dhe mësuam se madhësia e sektorit joformal dhe fuqia punëtore me arsim të dobët janë pengesat kryesore për Maqedoninë e Veriut që të arrijë potencialin e saj për rritje.

Sipas mendimit tonë, stimulimi i investimeve në infrastrukturë të mençur dhe inkluzive dhe ndërtimi i kapitalit njerëzor do të jetë vendimtar për Maqedoninë e Veriut në mënyrë që më tutje të integrohet në zinxhirët globalë të vlerave. Digjitalizimi i ekonomisë do të jetë gjithashtu i rëndësishëm në këtë aspekt. Kemi folur tashmë për efektet negative të pandemisë, por sipas Anketës së ndërmarrjeve BEI-BERZH-Banka Botërore, thuajse gjysma e kompanive në Maqedoninë e Veriut vendosën produkt ose shërbim të ri si përgjigje ndaj pandemisë, më shumë se mesatarja rajonale. (37 për qind). Shpenzimi i rritur për kërkimin dhe zhvillimin dhe pajisjen e qytetarëve me setin e mirëfilltë të shkathtësive do të jenë gjithashtu të rëndësishme, veçanërisht për arsye se shumica e kompanive janë ose themelore novatore ose adoptues në Maqedoninë e Veriut (rreth 80 për qind).

Kjo duhet të shkojë paralelisht me tranzicionin e drejtë dhe të gjerë të gjelbër. Ne e kemi trajtuar tashmë këtë çështje për sigurinë energjetike dhe varësinë nga gazi. Tranzicioni drejt shoqërive neto zero, gjithashtu, duhet të jetë korrekt. Aq më tepër në dritën e zhvillimeve të paradokohshme. Siç njoftova gjatë vizitës sime në muajin mars, jemi duke punuar për kredi të re potenciale me qëllim që të orientohen mjetet për kompanitë private përmes Bankës për zhvillim, si mbështetje e investimeve të gjelbra për kursimin e energjisë dhe burimeve të ripërtërishme të energjisë.

Korniza e qëndrueshme makroekonomike që Maqedonia e Veriut tashmë ka dëshmuar se mund ta realizojë, së bashku me formalizimin e ekonomisë, në mënyrë që sektori privat të mund të përparojë dhe të shpërndajë në mënyrë efikase burimet, do të jetë kritike për Maqedoninë e Veriut në rrugën e saj drejt BE-së.

Në prill, mbushen 30 vjet që nga pavarësia e denarit maqedonas. Ekonomia gjatë viteve kaloi nëpër shumë kriza, por denari u tregua i qëndrueshëm. Si e shihni stabilitetin makroekonomik në kontekst të hyrjes në BE dhe si banka e BE-së do ta mbështesë këtë proces?

– Më lejoni fillimisht t’i përgëzoj autoritetet që arritën stabilitet makroekonomik në vitet e fundit. Siç biseduam, viteve të fundit ishin veçanërisht sfiduese dhe Maqedonia e Veriut pa dyshim arriti përparim të konsiderueshëm dhe u tregua si partner i sigurt i BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Është evidente se Maqedonia e Veriut arriti përparim të vazhdueshëm në përshpejtimin e reformave, gjë që është konfirmuar me marrjen e pozicioneve të volitshme në Indikatorët botërorë për menaxhim, që janë kryesisht mbi mesataren rajonale. Megjithatë, vendi do të kishte dobi të konsiderueshme nga reformat strukturore, duke harmonizuar kornizën institucional me standardet e BE-së dhe forcimin e kapaciteteve të menaxhimit të projekteve, që do të mund të rezultonte me të hyra më të larta të kapitalit dhe klimë më të mirë afariste.

BEI ka vazhduar të mbështesë vendin duke investuar 156 milionë euro që nga fillimi i pandemisë në vitin 2020, duke arritur në rreth 1,1 miliardë euro hua deri më sot, të ndara për të gjithë sektorët kryesorë në vend. Krahas mbështetjes sonë të vazhdueshme financiare, ne do t’u ndihmojmë partnerëve tanë lokalë që të rrisin efikasitetin dhe ekspertizën e tyre në menaxhimin e projekteve, që do të thotë përmirësimin e aftësisë së tyre për qasje deri te mjetet e arritshme sipas Planit ekonomik dhe investues dhe instrumenteve të tjera financiare të BE-së.

Ky është rezultat i bashkëpunimit tonë të fortë me Qeverinë maqedonase, Bankën Kombëtare për Zhvillim dhe institucionet e tjera lokale dhe përkushtimin tonë për të përshpejtuar rritjen e qëndrueshme.

Në këtë kontekst, BEI-ja koordinon Konferencën për hulumtim të Bankës Popullore nikoqir i së cilës është Banka Popullore me rastin e 30 vjetorit të sovranitetit monetar të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Kjo ngjarje e nivelit të lartë do të mirëpresë guvernatorët dhe zëvendësguvernatorët e bankave qendrore nga rajoni dhe Evropa, si dhe përfaqësuesit e organizatave financiare ndërkombëtare, bashkësisë shkencore dhe sektorit bankar. Aty do të flasim për sfidat kryesore për ekonomitë rajonale – tranzicionin klimatik, rezistencën ekonomike, përfshirjen financiare, inovacionet dhe përshtatjet e politikave pas pandemisë, si dhe implikimet nga pasiguria në rritje që rezulton nga përshkallëzimi i rreziqeve gjeopolitike në Evropën Lindore. Një çështje tjetër që do të përfshijmë do të jetë përmirësimi i qasjes në financa për NVM-të. Na vjen mirë që mund të kontribuojmë për këtë ngjarje dhe të tregojmë në mënyrë plotësuese përkushtimin tonë për të mbështetur partnerët tanë lokalë.

Related posts

Shpallet ditë zie në Kosovë nesër në nderim të Madeleine Albright

e-max

Blue Economy Summit sot dhe nesër në Ohër

e-max

Ndryshimi i Kushtetutës do të zgjatë së paku 3 muaj e gjysmë, çfarë parasheh rregullorja?

e-max