GazetaMax
LAJME

Përfundon projekti nga programi japonez GGP në spitalin e Gostivarit

Shkup, 13 tetor – Ambasadori i Japonisë, Savada Hironori mori pjesë në ceremoninë e përfundimit të projektit GGP në Institucionin Shëndetësor Publik (IPSH) Spitali i Përgjithshëm Gostivar. Ceremonia u organizua nga kryetari i Komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe drejtori i ISHP Spitalit të Përgjithshëm Gostivar, Jakup Jakupi, në shenjë falënderimi për donacionin.

Me këtë projekt Japonia mundësoi që ISHP Spitali i Përgjithshëm Gostivar të pajiset me një aparat të ri digjital me rreze X në vlerë të përgjithshme prej 60,635 euro.

“Gjatë një viti, me radiografinë e re digjitale, spitali bëri afro 8,000 imazhe me rreze X duke ulur ndjeshëm kohën e pritjes për pacientët që kishin nevojë për ekzaminime”, theksoi Jakupi.

“Me këtë donacion, Japonia ndihmoi në ofrimin e kujdesit mjekësor urgjent dhe radiografi të mushkërive për pacientët me KOVID-19, pasi spitali ishte gjithashtu një qendër rajonale për KOVID-in për mbi 150,000 pacientë”, theksoi ambasadori Savada.

Në vitin 2021, KOVID-19 konsiderohet nga shkaktarët primar të vdekjeve në Maqedoninë e Veriut dhe ambasadori Savada ndjen kënaqësi që donacioni nga Japonia do të ndikojë që njerëzit në Maqedoninë e Veriut do të kenë kushte më të mira dhe më të sigurta në shëndetësi.

Gjatë vizitës, ambasadori Savada realizoi takim të shkurtër me kryetarin e Komunës së Gostivarit, Arben Taravari dhe drejtorin e ISHP Spitalit të Përgjithshëm Gostivar, Jakup Jakupi. Gjatë takimit u bisedua për mundësitë për bashkëpunim në të ardhmen.

Nëpërmjet GGP-së, deri më tani, Japonia ka financuar mbi 60 projekte në sektorin e shëndetësisë me një vlerë totale prej më shumë se 3 milionë euro, veçanërisht në pajisje mjekësore, rinovime klinikash dhe ambulanca. Për më tepër, Japonia ka pajisur objektet e shëndetit publik me pajisje mjekësore në vlerë prej 813,000 euro gjatë dy viteve të fundit si një ndihmë urgjente për COVID-19, pjesë e Programit të Zhvillimit Ekonomik dhe Social dhe ndihmë shtesë jofinanciare të ofruar në ilaçe për 100 pacientë me KOVID-19.

Nëpërmjet projekteve të Programit për Grante të Vogla (GGP), Japonia ka financuar rinovimin dhe blerjen e pajisjeve për më shumë se 73 shkolla dhe kopshte, 64 objekte shëndetësore dhe ka ofruar 34 automjete të specializuara për menaxhimin e mbeturinave dhe shërbimeve komunale për 51 komuna.

Related posts

Moti sot i ftohtë dhe reshje lokale të shiut

e-max

Besimi: Reformat tatimore nuk fillojnë tani, ka plan veprimi

e-max

Pavllov: Duhet të bëhen dy pilot-projekte që do jenë model për zhvillimin e marrëdhënieve afariste

e-max