Likovë, 24 Maj – Sot (24 maj 2022), në kompleksin e varrezave të dëshmorëve në fshatin Sllupçan u përkujtuan 10 martirët e familjes Zymberi, të cilët ranë në altarin e lirisë gjatë luftës së vitit 2001, mes forcave maqedonase të sigurisë dhe UÇK-së.
Për ti kujtuar ata kishin ardhur kryetari i komunës së Likovës, Erkan Arifi, deputeti i BDI-së nga Sllupçani, Berat Ajdari, deputeti i ASH-së, Elmi Aziri, këshilltarë komunal të komunës së Likovës, numër i madh i familjarëve dhe ish-ushtarë të UÇK-së si dhe mysafirë të tjerë.

Të pranishmit, në emër të familjes i përshëndeti Abedin Zymberi, kurse fjalë rasti pati edhe Berat Ajdari, ndërsa kuror lule vendosi kreu i komunës Erkan Arifi.

“Ne sot përkujtojmë 21 vjetorin e sakrificës së familjes Zymberi, poashtu përkujtojmë edhe veprën e lavdishme të dëshmorit të kombit Maxhid Hamidi nga fshati Runicë”, deklaroi deputeti Berat Ajdari, ish-ushtar i UÇK-së.
Në fund të pranishmit vendosën lule të freskëta tek varrezat e dëshmorëve të luftës së vitit 2001 në fshatin Sllupçan.

Më 24 maj të vitit 2001, gjatë granatimeve të forcave maqedonase të sigurisë, një predhë kishte depërtuar në bodrumin ku ishin të strehuar familja Zymberi, mbetën të vdekur 10 pjesëtarët e familjes Zymberi: Selvija, Mersimi, Neali, Hisnija, Jenuzi, Valbona, Syzana, Nerimanja, Fitimi dhe Fitorja.