Ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, së bashku me zëvendësministren Kaltrina Z. Shaqiri dhe kryetarin e Komunës së Bogovinës, Feti Abazi, zëvendësministrat Hoxha dhe Shabani, përuruan sot rrugën e re në fshatin Prekovec, një investim me vlerë mbi 12 milionë denarë.
Projekti është realizuar në kuadër të thirrjes së dytë të Qeverisë për mbështetjen e projekteve infrastrukturore në komunat e vendit dhe paraqet një tjetër hap konkret drejt përmirësimit të infrastrukturës lokale dhe kushteve të jetesës për qytetarët.
Rruga e re është e gjatë 845 metra dhe e gjerë 5,5 metra, duke krijuar kushte më të sigurta dhe më të mira për qarkullimin e banorëve dhe lidhjen e zonave lokale.
Ministri Agon Ferati theksoi rëndësinë e investimeve konkrete në terren, duke nënvizuar se zhvillimi i komunave duhet të shoqërohet me projekte që qytetarët i ndjejnë drejtpërdrejt në jetën e përditshme.

Për Komunën e Bogovinës, përmes dy thirrjeve të Qeverisë janë siguruar gjithsej 2,3 milionë euro për realizimin e 12 projekteve infrastrukturore. Nëntë projekte janë përfshirë në thirrjen e parë, ndërsa tre projekte në thirrjen e dytë.
Përurimi i rrugës në Prekovec dëshmon se investimet në infrastrukturë po shtrihen edhe në zonat lokale, me synim modernizimin e rrjetit rrugor, përmirësimin e lidhjeve ndërmjet vendbanimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për qytetarët.
Me investime të tilla, institucionet synojnë të ndërtojnë një Bogovinë më të zhvilluar, më të lidhur dhe me më shumë mundësi për banorët e saj.
