Është vënë në pranga ditën e sotme nga Policia e Fierit një i ri fierak i cili kishte ndërtuar pa leje një beach-bar në plazhin e Samenit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se fieraku i identifikuar si Jonel Mine 39 vjeç banues në fshatin Gjokalli, Fier, kishte nisur punimet për ndërtimin e objektit pa u pajisur me lejen përkatëse nga organet kompetente.
Po ashtu, gjatë kontrolleve të ushtruara në terren, nga ana e Policisë bëhet me dije se u konstatua punësim i jashtëligjshëm i tre personave në biznesin e Mines. Për rrjedhojë është vënë në pranga 39 vjeçari fierak, i cili po ashtu është shoqëruar për në Komisariat. Ndërsa, autoritetet vendase kanë ndërhyrë duke shembur objektin pa leje.
Njoftimi i Policisë:
Po ndërtonte pa leje një objekt në plazhin e Semanit, arrestohet në flagrancë 39-vjeçari.
Si rezultat i kontrolleve dhe verifikimeve të përditshme në terren, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale kundër mjedisit, si dhe garantimin e rendit dhe sigurisë publike gjatë sezonit turistik, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë konstatuar një rast të ndërtimit pa leje në plazhin e Semanit.
Gjatë kontrolleve, shërbimet e Policisë konstatuan se në zonën e plazhit të Semanit po ndërtohej një objekt i destinuar për aktivitet bar-kafe.
Nga verifikimet e kryera rezultoi se shtetasi J. M., 39 vjeç, banues në fshatin Gjokalli, Fier, kishte nisur punimet për ndërtimin e objektit pa u pajisur me lejen përkatëse nga organet kompetente.
Gjithashtu, nga veprimet e kryera dyshohet se ky shtetas kishte punësuar në mënyrë të paligjshme edhe 3 shtetas të tjerë.
Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë pronarin e objektit, shtetasin J. M., 39 vjeç, për veprat penale “Ndërtim pa leje”, dhe “Punësim i paligjshëm”.
Kontrollet dhe verifikimet në terren vijojnë në të gjithë territorin e qarkut, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të ndërtimeve pa leje dhe të veprave penale kundër mjedisit, veçanërisht gjatë sezonit turistik.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme.
