GazetaMax
Lajme

Platforma për barazi gjinore: Qasja në shërbimet e shëndetit riprodhues duhet të garantohet edhe në kohë krize

Shkup, 28 shtator – Një shoqëri e drejtë gjinore në të cilën aborti do të jetë i sigurt, i ligjshëm dhe i qasshëm për të gjitha gratë, pa stigma dhe diskriminim, është kërkesa që sot, më 28 shtator – Dita Ndërkombëtare e Abortit të Sigurt, të adresohet nga mijëra mbështetës të lirisë riprodhuese për qeveritë e tyre në mbarë botën.

Me atë rast, Platforma për Barazi Gjinore thekson se qasja në shërbimet e shëndetit riprodhues duhet të garantohet, madje edhe në kohë krize. Kjo është veçanërisht e rëndësishme nëse marrim parasysh krizën ekonomike dhe ushtarake që ndikon drejtpërdrejt në stabilitetin financiar dhe social, dhe rrjedhimisht edhe në mirëqenien e njerëzve në mbarë botën, përfshirë edhe në vend.

“Edhe pse ligji ekzistues për ndërprerjen e shtatzënisë në Maqedoni është më liberal se ai i mëparshmi, ai ende nuk parasheh mbulimin e shpenzimeve nëse ky shërbim shëndetësor kërkohet për arsye sociale ose materiale. Duke e trajtuar abortin si shërbim esencial shëndetësor vetëm kur ka arsye mjekësore, Fondi për Sigurim Shëndetësor dhe institucionet e tjera kompetente i vendosin gratë në një situatë të pashpresë që nuk duan të vazhdojnë shtatzëninë dhe që janë në rrezik social ose që jetojnë në varfëri”, citohet në kumtesën e Platformës për barazi gjinore e cila bashkon rreth 30-të organizata joqeveritare.

Për më pak se një vit, çmimet e abortit në spitalet private në vend, shtohet se janë dyfishuar dhe tashmë ky shërbim kushton 350-400 euro. Gjithashtu, aborti mjekësor (aborti me barna), i cili është opsion më i sigurt dhe më i lirë se metoda kirurgjikale, është i disponueshëm vetëm në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup, por jo vazhdimisht për shkak të ndërprerjes së shpërndarjes së barnave të nevojshme. Gratë nga qytetet e tjera, nga ana tjetër, nuk e kanë këtë alternativë jo vetëm për shkak të barnave të padisponueshme, por edhe për shkak të stafit jo mjaft të trajnuar në spitalet shtetërore lokale.

“Prandaj, Platforma për Barazi Gjinore apelon tek institucionet kompetente në vend që të njohin nevojën e grave të varfëra dhe të margjinalizuara për abort dhe të ofrojnë çmime të përballueshme financiarisht për këtë shërbim thelbësor shëndetësor, veçanërisht në kohë krize. Përndryshe, shteti drejtpërdrejt (do) t’i shtyjë gratë në varfëri dhe pasiguri sociale akoma më të madhe dhe nuk përjashtohet që t’i detyrojë ato të kërkojnë alternativa më të lira të paligjshme për abortin, gjë që do të rrezikonte drejtpërdrejt shëndetin e tyre dhe mirëqenien e të dashurve të tyre”, thuhet në kumtesë.

Related posts

Shqipëria me inflacion 8% e Maqedonia me 20%?

Gazetamax.mk

Geer: Flamuri evropian në Kuvend mund të përdoret vetëm për ligje me norma evropiane

Gazetamax.mk

Tregtarët në Ohër hapën dyqanet e tyre të dielën, ende s’ka ndryshim për të dielën ditë jopune

Gazetamax.mk