Në Komunën e Likovës vazhdon të zvarritet projekti i ujësjellësit, në fshatin Hotël kanë filluar matjet gjeodezike ku punimet pritet të nisin së shpejti, ndërkaq, në fshatrat Opajë dhe Ropalcë ky projekt po vonohet, gjë që shqetëson banorët. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor thonë se Komuna e Likovës ka dorëzuar të dy projektet, por aktualisht janë në fazën e kontrollit teknik nga konsulenti dhe se për to ende nuk ka filluar procedura e prokurimit publik, shkruan Portalb.mk.
Në një bisedë për Portalb.mk, banorët e fshatrave Opajë dhe Ropalcë shprehin pakënaqësinë dhe brengën e tyre që punimet për ujësjellësin ende nuk kanë nisur, ndërkohë nuk është bërë asnjë hap konkret drejt realizimit të projektit.
Biseduam edhe me disa banorë të fshatit Hotël, të cilët theksojnë se, duke nisur matjet pikërisht pak para zgjedhjeve, nuk besojnë se projekti do të mund të realizohet brenda një kohe të shkurtër.
Hamdi Sherifi, drejtor i Ndërmarrjes Publike Komunale “Penda” për ujësjellës dhe kanalizime për Portalb.mk tha se pasi të kryhen punimet në fshatin Hotël, komuna do t’ia dorëzojë projektin të gatshëm për menaxhimin e ujësjellësit, dhe kyçjen e ujit nëpër shtëpi.
“Punimet me ujësjellësin në fshatin Opajë dhe Ropalcë, deri tani nuk ka ndonjë zhvillim, dhe në lidhje me këtë çështje nuk kam informacione, sepse është në kompetencë të komunës. Ndërsa, sa i përket fshatit Hotël, me shpalljen e fundit nga krediti hungarez janë siguruar mjetet, dhe pritet të fillojnë punimet. Projekti parashikon ndërtimin e linjës kryesore nga një lokal deri te rezervuari, për ta lidhur më pas me gypin kryesor. Fshati Hotël është i përfshirë si një njësi më vete, ndaj punimet për rrjetin kryesor duhet të fillojnë së shpejti. Dhe rrjeti sekondar në këtë fshat tashmë ekziston, por do të ketë ndërhyrje në disa pjesë dhe do të punohet aty ku është e nevojshme. Po ashtu, gypi që vjen nga penda në drejtim të fshatit Mateç do të shërbejë edhe për kyçjen e fshatit Hotël”, tha Sherifi.
Sherifi theksoi se ditën e premte (19.09.2025), janë bërë matjet gjeodezike, por për detajet më të sakta nuk mund të flasë, sipas tij kjo është çështje e komunës, dhe pasi të përfundojnë të gjitha punimet, komuna do të na e dorëzojë projektin si të gatshëm për menaxhimin e ujësjellësit.
“Deri tani janë realizuar rreth 270 kyçje, ndërsa mbi 1300 amvisëri kanë dorëzuar aplikime. Procesi i lidhjes varet nga qytetarët, pasi ata duhet të kryejnë pagesën dhe të nënshkruajnë kontratën. Pasi të përfundojnë këto hapa, ekipet tona dalin në terren për realizimin e kyçjes. Pra, në këtë fazë, topi është te qytetarët”, shtoi Sherifi.
Nga Komuna e Likovës theksuan se punimet për ujësjellësin në fshatrat Opajë dhe Ropalcë përgjegjëse është Ministria e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa në Hotël punimet pritet të fillojnë së shpejti, duke mos theksuar se kur.
“I tërë dokumentacioni teknik për fshatin Opajë dhe Ropalcë, është dorëzuar në Ministrinë e Ambientit Jetësor, dhe Planifikimit Hapësinor, ndërsa në fshatin Hotël kanë filluar matjet gjeodezike. Punimet aty do të fillojnë pas përfundimit të matjeve”, thanë nga Komuna e Likovës.
Ndërsa nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor theksuan se Komuna e Likovës ka dorëzuar dy projekte për ujësjellës, dhe se të njëjtat po kontrollohen teknikisht nga konsulenti.
“Në kuadër të projektit të Bankës Evropiane për Investime (BEI) për përmirësimin e infrastrukturës ujore të komunave në Maqedoninë e Veriut, (“Gazeta Zyrtare e RMV” nr. 203/2022), nga Komuna e Likovës në Ministrinë e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor janë dorëzuar dy projekte: Ndërtimi i rrjetit të ujësjellësit dhe ndërtimi i një rezervuari të ri në fshatin Ropalcë, Komuna e Likovës, dhe ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Opajë, Komuna e Likovës”, thanë nga MMJPH.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor theksojnë se të njëjtat janë në fazën e kontrollit teknik nga konsulenti dhe se për to ende nuk ka filluar procedura e prokurimit publik.
Me 28 mars 2025, kryetari i Komunës së Likovës Erkan Arifi njoftoi banorët e komunës se projekti i ujësjellësit ka përfunduar, dhe se prej me 3 prill 2025 mund të aplikojnë për kyçje të ujësjellësit. Por, ai nuk përmendi fshatin Opajë, Hotël, dhe Ropalcë, ku punimet nuk kanë filluar ende.
Megjithëse, punimet për ujësjellësin kanë filluar prej kohësh, të njëjtat janë zvarritur dhe banorët e Komunës së Likovës vazhdojnë të mbeten pa ujë të pijshëm.