GazetaMax
Lajme

Pushteti dhe opozita me qëndrime të ndryshme sa i përket ribalancit të buxhetit

Shkup, 14 qershor – Komisioni kuvendor për financim dhe buxhet sot do të vazhdojë debatin për buxhetin plotësues për vitin 2022. Sipas ministrit të Financave Fatmir Besimi, me projekt-ribalancin e Buxhetit duhet të ruhet stabiliteti makroekonomik, të mbështetet ekonomia që të kthehet në nivelin para pandemisë, por edhe të ruhet siguria sociale e qytetarëve.

Në fjalën e tij të djeshme në Komisionin kuvendor për financim dhe buxhet, ai theksoi se synimet që duhet të arrihen me këtë dokument janë mbështetja e synuar për qytetarët dhe kompanitë për tejkalimin e sfidave që sjellin krizat e reja globale.

Me propozim-buxhetin plotësues të hyrat janë paraparë në 245,8 miliardë denarë dhe janë rreth 6,9 miliardë denarë më të larta se parashikimet fillestare, ndërsa shpenzimet në nivel prej 288,5 miliardë denarë ose rreth 16 miliardë denarë më shumë në raport me projeksionet fillestare me plani për vitin 2022.

Transferet rrjedhëse janë planifikuar në nivel prej 189,7 miliardë denarë ose rreth 19 miliardë denarë më i lartë se plani për vitin 2022.

Buxheti plotësues parasheh 4,7 miliardë denarë mbështetje shtesë financiare për mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe likuiditetit të kompanive në kushtet e krizës së zgjatur në tregun botëror të energjisë dhe produkteve primare.

Gjithashtu, janë paraparë edhe subvencione dhe transfere shtesë për fermerët, përkatësisht 3,2 miliardë denarë shtesë për subvencionet e parapara fillimisht. Këto fonde kanë për qëllim të stimulojnë rendimentet dhe produktivitetin, të amortizojnë presionet e çmimeve të produkteve ushqimore bazë.

Janë planifikuar edhe transfere më të larta në komuna, kryesisht për shkak të rritjes së bllok-dotacioneve për rritjen e pagave në kopshte dhe në shkollat fillore dhe të mesme për 15 për qind.

Me ribalancin e Buxhetit parashikohen edhe mjete për rritjen e pensioneve sipas metodologjisë së re sipas indeksit të shpenzimeve së jetesës në masën 50 për qind dhe rritje të pagës mesatare të paguar të të gjithë punonjësve në masën 50 për qind. Për shfrytëzuesit e të drejtës të ndihmës minimale të garantuar janë planifikuar edhe 2,4 miliardë denarë shtesë.

Janë parashikuar mjete për subvencionimin e kontributeve për të mbështetur punëdhënësit në rritjen e pagave në sektorin privat, duke përfshirë efektin e subvencionimit të kontributeve të pagës minimale.

Shpenzimet për pagesën e pagave janë projektuar në nivelin prej 33,2 miliardë denarë, ku përfshihet efekti i harmonizimit të pagave të të punësuarve me shfrytëzuesit buxhetorë me pagën minimale nga njëra anë dhe efektet e kontrollit të punësimeve të reja dhe optimizimit të administratës publike nga ana tjetër.

Ministri në paraqitjen e mbrëmshme në TV24 përmendi se ribalanci i Buxhetit së pari thith të gjitha masat që janë marrë nga marsi i këtij viti për të përballuar krizën dhe së dyti se nuk na pret në periudhën e ardhshme.

“Kjo do të thotë se shpenzimet duhet të ristrukturohen dhe ne i kemi korrigjuar sa i përket realizimit të të hyrave. Kjo do të thotë se nëse deficiti buxhetor ishte planifikuar në 545 milionë euro, ai është diku në nivelin 695 milionë euro. Inflacioni është në rritje krahasuar me 2.4 për qind fillestaret dhe parashikimet janë që mesatarisht do të jetë 7.2 për qind. Gjërat kanë ndryshuar në skenën botërore. Është bërë praktikë çdo tre muaj që të shohim një rishikim të projeksioneve. Tani po jetojmë në një periudhë krize”, tha Besimi.

Megjithatë, gjatë debatit të djeshëm, deputetët e pushtetit dhe opozitës kanë mbetur me qëndrime të kundërta.

Sipas deputetëve të pozitës, me ribalancin projektohen më shumë mjete nga buxheti për mbështetjen e standardit të qytetarëve dhe mbështetet aktiviteti ekonomik, ndërsa opozita mbetet në qëndrimin se buxheti nuk është dimensionuar në mënyrë përkatëse dhe se mbushet vetëm në kurriz të qytetarëve.

Deputeti Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE theksoi se ribalanci është i vonuar dhe se Qeveria është dashur në mënyrë më efikase dhe më në kohë të reagojë, duke e pasur parasysh edhe luftën dhe në përgjithësi të gjitha efektet të cilat më vonë erdhën si ekonomikisht të pafavorshme.

“Presim momente më të reja në Buxhet, por për fat të keq asgjë e re. Bëhet fjalë për buxhetin më të keq deri më tani, pasi është më i madhi në historinë e ekonomisë por edhe më voluminozi në deficitin buxhetor”.

Sipas tij, Qeveria duhet të qaset me më pak optimizëm dhe më shumë realitet, që të kenë dëshpërim më të vogël nga qytetarët.

“Masat të cilat i hoqi Qeveria duke heshtur, ndërsa të cilat skaduan për shkak të afateve kohore por edhe duke mos i pranuar propozimet e opozitës dhe të qytetarëve lë vakum hapësirë në të cillën shteti ynë është vendi i vetëm në rajon e mbase edhe në Evropë, që për momentin në fuqi nuk ka kurrfarë masash efektive antiinflacionit. Rritja e tillë e deficitit buxhetor nuk mund të thuhet se është shkurtim i shpenzimeve joproduktive, nëse merret zëri për mallra dhe shërbime thuajse askund nuk ka shkurtim. Nuk është buxhet që kursen, por buxhet i cili shpenzon”, shtoi deputeti Petrushevski.

Sipas deputetit Bedri Fazli nga BDI, në kushte të krizës energjetike dhe rritjes së çmimeve në nivel global, buxheti i rikonstruuar nga e para do të sigurojë mbrojtje më të madhe të qytetarëve, veçanërisht të qytetarëve të rrezikuar social por edhe mbështetje financiare dhe likuiditet të kompanive.

Gjithashtu, siç tha, me rritjen e pagës minimale dhe me rritjen e pensioneve do të zbuten efektet nga rritja e madhe e çmimeve.

Sipas deputetëve të VMRO-DPMNE-së, ribalanci i buxhetit është vetëm për t’u rritur borxhi publik, dhe ai mbushet sërish në llogari të qytetarëve, ndërsa e vetmja që ka përfitim nga inflacioni është Qeveria. Deputetët e VMRO-DPMNE-së theksojnë se bazë për miratimin e këtij buxheti shtesë është vetëm dështimi në investime kapitale dhe nevoja për një huamarrje të re enorme.

Sipas opozitës, çdo miratim i amendamenteve që janë shtruar nga ana e tyre do të thotë jetë më e mirë për qytetarët.

Deputeti Mile Lefkov nga VMRO-DPMNE në kundëreplikën e tij theksoi se ka një rënie rekord të popullsisë së aftë për punë në vend për shkak të emigrimit dhe për shkak të mosregjistrimit si fuqi punëtore aktive. Siç theksoi ai, ka një rënie historikisht të paprecedentë në ekonomi dhe vetëm këtë vit janë mbyllur afro 4000 kompani.

Debati kuvendor për ribalancin e Buxhetit për vitin 2022 do të vazhdojë sot në ora 11.

Related posts

Bytyqi: Nuk mund ta pranoj që një produkt të blihet për 9 denarë dhe të shitet për 69 denarë

Gazetamax.mk

Petrovska: Realiteti i sigurisë në Evropë bën thirrje për siguri të përforcuar kolektive

Gazetamax.mk

Zvicra do të financojë projekte për zhvillimin e rajoneve planore në vend

Gazetamax.mk