GazetaMax
Lajme

Qenan Ismaili: Në muajin Ramazan materializmi hesht dhe pushon, e në Bajram u rikthehemi sërish nevojave tona fizike, por këtë here më të ndryshëm

Shkup, 2 maj – Myslimanët nga gjithë bota festojnë Ramazan Bajramin, ose me emrin tjetër Fitër Bajramin, i cili shënon fundin e agjërimit njëmujor gjatë muajit Ramazan. Myftiu i Shkupit Qenan Ismaili, në intervistën për MIA-n, sqaroi se gjatë muajit Ramazan derisa njerëzit abstenojnë nga ushqimi dhe uji materializmi heshtë dhe pushon, por nga sot besimtarët i rikthehen sërish normales me përmbushjen e rregullt të nevojave të tyre fizike, vetëm se këtë herë, shumë më të vetëdijshëm dhe më të ndryshëm se ajo që kanë qenë para muajit të shenjtë të Ramazanit.

Çfarë paraqet Ramazan Bajrami, ose më ndryshe Fitër Bajrami për myslimanët?

– Në fenë islame festat nuk janë të ndërlidhura me ndonjë datë historike, ato ndërlidhen drejtpërdrejt me fitoret personale. Datat historike përmenden, derisa festat festohen sipas kontributit të dhënë të personit që është munduar për të njëjtën. Në këtë rast, mundi ynë i dhënë gjatë këtij muaji të adhurimit, më saktësisht agjërimit, që zgjatë 30 ditë, fillon kur njerëzit abstenojnë nga ushqimi dhe uji, kujdesen për të varfrit, jetimët, ndajnë ushqimin e tyre me të tjerët dhe kalojnë më shumë kohë në adhurim. Duke marrë parasysh gjithë këtë mund brenda një muaji, sipas mësimeve të Muhamedit a.s. në ditën e Bajramit njerëzit janë tashmë të falur, e meqë janë të falur besimtarët këtë edhe e festojnë.

Çfarë kuptimi ka fjala “fitër” dhe si ndërlidhet me muajit Ramazan dhe me festën e Bajramit?

– Burimi i kësaj është në citatet arabe të Profetit a.s., që do të thotë shprehja “eid” do të thotë kremtim ose festë te arabët, e në përkthim do të thotë “kthim”. E ku do të mund të ktheheshim? “Fitër” do të thotë natyrshmëri, pra ne i rikthehemi natyrshmërisë sonë. Për arsye se gjatë gjithë muajit kemi jetuar një jetë të panatyrshme. Dita e Bajramit është dita kur ne i rikthehemi natyrshmërisë sonë. Në këtë kthim ne jemi të detyruar të vendosim baraspeshë, sa mund kemi investuar për shpirtëroren, aq duhet edhe për materialen, rikthehemi në jetën normale.

Derisa fjala „fitër“, e sjellë edhe kuptimin e iftarit, iftari i njëjtë që ne e praktikojmë në fund të ditës kur ne agjërojmë. Bajrami është dita iftar për gjithë muajin e Ramazanit. Pra, kemi agjëruar gjithë Ramazanin dhe nga ky moment bëjmë iftarin e përbashkët dhe tashmë i kthehemi jetën normale dhe i plotësojmë nevojat tona fizike.

Si ndikon gjithë procedura në jetën shoqërore dhe shpirtërore të myslimanëve?

– Nga aspekti shoqërore, socializohemi me të gjithë njerëzit përmes ndihmës që e japim dhe përmes ndarjes me njerëzit tjerë të asaj që e posedojmë ne vetë. Në këtë mënyrë gjatë muajit Ramazan materializmi heshtë dhe pushon, shfaqet pjesa shpirtërore. Tashmë ajo që është e imja nuk është vetëm e imja, por edhe e jotja, pasurinë time të përvetësuar e ndaj me ty. Për Bajram, nuk gëzohem vetëm unë me veshje të re, me një rehati festive, por gjithë këtë e ndaj me tjetrin për arsye se dua që edhe familjari im, fqinji im dhe i varfri që e njoh nga lagjia ime, pa marrë parasysh se cilës fe i përket, atë ditë edhe ai duhet të jetë i lumtur.

E gjithë kjo ka ndikim të madh për t’u bërë njeriu më i vetëdijshëm gjatë Ramazanit. Gjatë këtij muaji njeriu e analizon para së gjithash shpirtëroren, analizon realitetin si dhe shoqërinë dhe menjëherë pas Ramazanit, që në ditën e parë të Bajramit, ai njeri është shumë më ndryshe sesa ka qenë.

Pas dy viteve me masa restriktive kundër KOVID-19, myslimanët sivjet do të festojnë Ramazan Bajramin pa kufizime fizike. Sa ka ndikim kjo liri e tanishme te besimtarët?

– Krahas modernizimit që aq shumë na ndau mes njëri-tjetrit ku filluam urimet t’i drejtojmë vetëm përmes porosisë telefonike, me shfaqjen e KOVID-19, duhej të mbrohemi dhe të kemi kujdes që të mos kemi kontakt fizik me njerëzit, kjo solli distancë më të madhe mes njerëzve dhe familjeve. Tani me shfuqizimin e masave për mbrojtje nga KOVID-19 edhe Ramazani sivjet kaloi më ndryshe, si duket Zoti do të na marrë diçka, më pas na e kthen atë në mënyrë që ta dimë vlerën e së njëjtës.

Edhe Bajrami është i njëjtë, Zoti na e mori lirinë që të festojmë dhe tani na e ktheu dhe jam i bindur se siç kaloi ky Ramazan, ashtu edhe ky Bajram do të jetë pak më ndryshe. Do t’i rikthehemi realitetit, do t’i rikthehemi asaj që Zoti dhe profeti Muhamed na ka urdhëruar të duam njëri tjetrin, të respektohemi, të shkojmë në vizita të ndërsjella.

Cila është porosia Juaj për Ramazan Bajram për të gjithë besimtarët e fesë islame, por edhe për të gjithë qytetarët e përkatësive tjera fetare në vendin tonë?

– Unë vetëm do të kisha thënë se ajo që e mësuam në këtë Ramazan nuk duhet të përfundojë në ditën e Bajramit. Gjatë Ramazanit, ne mësuam se mund të jetojmë të uritur, mësuam se mund të jemi njëri pranë tjetrit, mësuam se atë që e ha unë mund ta ndaj edhe me tjetrin, mësuam se të varfrit kanë nevojë për të pasurit, se pasuria nuk është vetëm e jona, porse duhet ta ndajmë me të tjerët, mësuam se duhet t’u ndihmojmë të varfërve, jetimëve, dhe ajo që e mësuam gjatë Ramazanit, duhet ta zbatojmë edhe pas Ramazanit, të mos i mbyllim vetëm në raftet e Ramazanit, por kjo të jetë pjesë e pandarë e jetës sonë, meqë kështu na ka mësuar edhe Zoti dhe Profeti i tij a.s. Kur ne do të mund të vazhdojmë me këto mësime edhe pas Ramazanit, në këtë botë do të kishte dominuar harmonia, paqja, dashuria dhe lumturia mes njerëzve.

Duke marrë parasysh se myslimanët kohën e llogarisin sipas Kalendarit të Hixhrit i cili udhëhiqet sipas llogaritjeve lunare, Fitër Bajrami, respektivisht muaji i Ramazanit, sivjet filloi dhjetë ditë më herë për dallim nga viti i kaluar kur ishte më 13 maj, respektivisht 12 prill. Ceremonia qendrore e Bashkësisë Fetare Islame për namazin e Bajramit u mbajt në xhaminë historike Mustafa Pasha e cila gjendet në afërsi të Kalasë së Shkupit.

Related posts

Pse Maqedonia e Veriut e ndryshoi qëndrimin ndaj çështjes së Kosovë- Serbi?

Gazetamax.mk

Selami uron punëtorët e DAP për rritjen e pagave, shpreson që ky trend të vazhdojë edhe në institucionet tjera!

Gazetamax.mk

Zgjedhjet në veri të Kosovës, LVV kërkon fillimisht largim të masave, PDK thotë se s’do të jenë bllokues

Gazetamax.mk