GazetaMax
Lajme

Qendra e vjetër tregtare në Tetovë drejt zhdukjes, komuna hap rrugën për bizneset private

Në vend të dyqaneve në Qendrën e Vjetër Tregtare në Tetovë, Komuna e Tetovës planifikon të ketë qendër të re tregtare të mbyllur dhe ndërtesa me banesa, për të cilat u ngrit alarmi në opinion. Shpjegimi i kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit është se qendra është lënë pas dore, kështu që në vend të një mënyre të re për mirëmbajtjen e saj, ai thotë se do të modernizohet duke u lejuar kompanive private të ndërtimit të ndërtojnë objekte të reja tregtare dhe banesore, raporton Portalb.mk.

“Atje me planin e detajuar urban, është planifikuar të ketë një qendër të re tregtare me pamje moderne dhe si kombinim i koncepteve të reja të qendrave tregtare ku ato janë të lidhura me një pjesë banesore, domethënë një pjesë të gjallë. Ne e dimë që këto janë dyqane private, pronë private. Komuna dhe qeveria nuk mund të ndërhyjnë shumë atje, kështu që ne po sigurojmë zhvillim në mënyrë që kapitali privat në qendrën e qytetit të mund të investojë dhe të rikthejë pamjen dhe bukurinë, dhe kjo duhet të jetë në përputhje me interesat e investitorëve privatë”, tha Kasami.

Ndryshimet në bllokun urban 42 u bënë të ditura pas mbajtjes së debatit publik në Komunën e Tetovës më 13 gusht 2025.

Me këtë plan parashihet fundi i qendrës së vjetër tregtare dhe ndërtesa shumë katëshe në qendër të qytetit.

Por me këtë nuk janë pajtuar organizatat e mjedisit dhe aktivistët, sipas tyre,këto ndërtime do ta betonizojnë më tej qytetin dhe do të ndikojnë negativisht në kaosin urbanistik në qytet.

Për këtë kritikuan nga nisma Tetova do Park dhe nga BDI-ja opozitare.

Në Tetovë periudhën e fundit në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si shitja e ish Monopollit, legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara. Ndërkaq, në disa pjesë të qytetit ka filluar ndërtimi i disa ndërtesave tjera shumë katëshe.

Në ndërkohë, Tetova nuk ka ende park të qytetit.

Tetova që nga viti 2003 nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik, dhe kjo është ndër arsyet e kaosit urbanistik në qytet.

Plani Gjeneral Urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë.

Përndryshe, në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe hapësirat e gjelbra.

Te pjesa e urbanizmit, konkretisht në faqe 22 thuhet se do të revidohet dhe zgjerohet Plani Urbanistik për të lejuar ndërtimin e komplekseve banesore, apo edhe qendrave biznesore, sipas standardeve ku së paku 1/3 e hapsirës të jetë me pjesë të gjelbëruar dhe me zona rekreacioni.

Ndërkaq në faqe 26 premtohet: Plan afatmesëm për zgjerimin e hapsirave të gjelbërta.

Por, tashmë afër fundit të mandatit, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren.

Related posts

IPK fton disa avokatë për të mbrojtur 40 zyrtarët policorë të arrestuar sot

Gazeta Max

Jetë dy dekadëshe pa shtetësi

Gazeta Max

Gashi: Është i mundur kompromisi, fillimisht të përfundojnë bisedimet mes LSDM dhe ASH

Gazeta Max