Në takimin në Ministrinë e Arsimit me drejtuesit e shkollave të Tiranës, Kryeministri Edi Rama përsëriti se me dhunë nuk ka shans të imponohet asnjë lloj agjende dhe asnjë lloj ideje alternative, por u shpreh i gatshëm për komunikim.
“Është e shkruar e zeza mbi të bardhë: vetëm shteti mund të ushtrojë forcë dhe ka të drejtë ta ushtrojë forcën në mënyrë proporcionale, aty ku liria e disave kalon kufirin dhe cenon lirinë e të tjerëve. Aty ku e drejta e disave kalon kufirin dhe cenon të drejtën e të tjerëve, aty shteti hyn dhe përdor monopolin e forcës. Askush tjetër nuk mund të përdorë forcë në demokraci, për asnjë arsye.
