GazetaMax
Lajme

Raporti i KE-së: Parlamenti duhet të ketë një rol aktiv dhe pozitiv në procesin e negociatave me BE-në

Shkup, 20 tetor – Në Raportin për progresin e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022, vlerësohet se punën e Kuvendit e ka penguar polarizimi politik, i cili ka vonuar miratimin e shumë ligjeve. KE nënvizon se deputetët duhet të jenë aktivë dhe të kenë një rol pozitiv në procesin e negociatave me BE-në.

“Pas debateve intensive, Kuvendi miratoi konkluzione mbi një propozim që i hapi rrugën hapjes së negociatave të anëtarësimit. Parlamenti duhet të luajë një rol aktiv dhe pozitiv në procesin e negociatave për anëtarësim në BE”, theksohet në dokument.

Komisioni Evropian vëren se “përpjekjet e përbashkëta dhe të shpejta nga të gjitha palët janë të nevojshme si hapa prioritare për të forcuar rolin e Parlamentit si një forum për dialog politik konstruktiv, veçanërisht në agjendën e reformave të BE-së”.

Kërkohet sërish një kufizim në përdorimin e sjelljes së ligjeve me procedurë të shkurtuar.

“Nevojiten procedura adekuate të planifikimit dhe konsultimit për të kufizuar përdorimin e procedurave të shkurtuara në mënyrë që të mundësohet shqyrtimi dhe konsultimi efektiv mbi legjislacionin”, citohet në tekst.

Ai gjithashtu thekson se mbikëqyrja e ekzekutivit përmes pyetjeve parlamentare për ministrat duhet të kryhet më rregullisht dhe se Parlamenti duhet të zbatojë pa vonesa të mëtejshme propozimet e dakorduara për reformat e brendshme gjatë raundit të tretë të “Dialogut Zhan Mone ” në fillim të viti 2020.

Komisioni Evropian në raportin e tij nënvizoi se akoma vazhdon procedura për përgjegjësinë penale për ata që “orkestruan apo kryen dhunë” në sulmin ndaj Kuvendit më 27 prill të vitit 2017.

“Disa parti politike kanë ndërmarrë hapa për të përmirësuar demokracinë e tyre të brendshme. Nevojiten përpjekje shtesë për rritjen e transparencës në financimin e partive politike”, citohet ndër të tjera në Raport.

Komisioni Evropian vëren se në këtë përbërje parlamentare është numri më i madh i deputeteve femra (50 nga 120, respektivisht 42 për qind), ndërsa numri i deputetëve nga komunitetet joshumicë është i pandryshuar (42 nga 120 – 35 për qind).

Në analizën e tij më të gjerë, Komisioni Evropian thekson se pas debateve të vështira dhe të tensionuara, Kuvendi në korrik të vitit 2022 miratoi propozimin që i hapi rrugën fillimit të negociatave të anëtarësimit me BE-në. Si vend negociues, Maqedonia e Veriut ka mundësi dhe përgjegjësi të reja.

Gjithashtu theksohet rëndësia e bashkëpunimit mes qeverisë dhe opozitës për procesin e anëtarësimit në BE.

“Në këtë drejtim, Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në procesin e negociatave për anëtarësim në BE. Koalicioni qeveritar dhe opozita duhet të punojnë së bashku dhe në mënyrë konstruktive në Kuvend dhe të fokusohen në hapa specifikë në procesin e negociatave, duke përfshirë avancimin e reformave të lidhura me BE-në në interes të qytetarëve”, citohet në Raport.

Gjatë periudhës raportuese, siç u theksua, Parlamenti mbeti forumi kryesor për dialogun politik. Nënvizohet gjithashtu se në mars të vitit 2022, Parlamenti me konsensus ndërpartiak miratoi një Deklaratë që dënon aktet ushtarake që kërcënojnë integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Opozita mbështeti disa ligje dhe një sërë masash ekonomike për të përballuar pasojat e KOVID-19.

Referuar Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, të kryesuar nga opozita, raporti thekson se ky organ parlamentar është përgjegjës për sigurimin e një konsensusi të gjerë në agjendën e BE-së. Këshilli, siç u tha, ka mbajtur tri seanca gjatë periudhës raportuese.

Siç citohet në Raport, mbeten sfidat në drejtim të planifikimit më efikas të procesit ligjbërës.

“Në vitin 2021, Kuvendi miratoi 213 ligje, nga të cilat 113 në procedurë të rregullt legjislative, 81 në procedurë të shkurtuar dhe 19 ratifikime. Opozita sfidoi përdorimin e flamurit të BE-së në procedurën legjislative, procedurën urgjente që synonte përafrimin e legjislacionit me ligjin e BE-së dhe bllokoi disa projektligje në nivel komiteti. Numri i ligjeve të miratuara me procedurë të shkurtuar pak është ulur, por ende mbetet i lartë. Përdorimi i kësaj procedure duhet të kufizohet ndjeshëm sepse zvogëlon mundësitë për procese legjislative gjithëpërfshirëse dhe debate të rëndësishme”, citohet në Raport.

Mbikëqyrja parlamentare e ekzekutivit vazhdoi me shtatë seanca për çështjet parlamentare në vitin 2021. Seanca të tilla u pezulluan përpara zgjedhjeve lokale në tetor të vitit 2021 dhe nuk rifilluan deri në prill të vitit 2022, më shumë se tre muaj pasi qeveria e re mori detyrën.

Nënvizohet se nuk u diskutuan dy mocione mosbesimi për ministrat e ish-qeverisë,pasi ministrat e rinj i morën ato dikastere.

Plenumi dhe komisionet amë diskutuan raportet vjetore të organeve rregullatore, monitoruese dhe mbikëqyrëse.

Në Raport theksohet se nuk ka pasur progres të rëndësishëm në zbatimin e angazhimeve të marra gjatë raundit të tretë të “Dialogut Zhan Mone” në fillim të vitit 2020.

“Këto përfshijnë ndryshimin e Rregullores së Punës, duke përfshirë seancën konstitutive, mbikëqyrje më të madhe, seanca publike, kalendarin parlamentar dhe procedurat për ligjet e

flamurit të BE-së. Grupi i punës për Dialogun Zhan Mone u takua dy herë në vitin 2021 dhe përsëri në vitin 2022 për të diskutuar zbatimin e angazhimeve të marra dhe është bërë progres i kufizuar, Rregullora e Punës mbetet e pandryshuar. Procesi duhet të përfundojë pa vonesa të mëtejshme dhe të sigurojë funksionim më të mirë të Parlamentit”, nënvizojnë nga Komisioni Evropian.

Për sa i përket mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe lirive themelore, Kuvendi miratoi, me mbështetje ndërpartiake, një organizim të ri të Zyrës së Avokatit të Popullit. Klubi i Deputetëve dhe Grupet Parlamentare Ndërpartiake të Rinisë, LGBTIK, personat me aftësi të kufizuara dhe romët kanë zhvilluar aktivitete të shumta në bashkëpunim të ngushtë me organizatat përkatëse të shoqërisë civile.

Për ndryshimet kushtetuese, në Raport thuhet se “Parlamenti dhe Qeveria kanë marrë përsipër fillimin dhe miratimin me prioritet të amendamenteve kushtetuese përkatëse, për të përfshirë në Kushtetutë qytetarët që jetojnë brenda kufijve të shtetit”.

Vazhdoi puna për përcaktimin e përgjegjësisë për sulmet e dhunshme në Parlament në prill të vitit 2017. Gjykata e Apelit në Shkup konfirmoi dënimet e shkallës së parë për ata që kanë kryer dhunë. Përpjekjet për të përmirësuar efikasitetin e sistemit demokratik, duke përfshirë transparencën e financimit të partive politike, duhet të vazhdojnë për t’iu përgjigjur rekomandimeve të bëra nga Grupi i Shteteve Kundër Korrupsionit (GREKO), citohet në Raport.

Partitë politike duhet gjithashtu të përmirësojnë proceset e brendshme demokratike. LSDM-ja për herë të dytë mbajti zgjedhje të drejtpërdrejta për kryetar partie.

Maqedonia e Veriut zbatoi një reformë gjithëpërfshirëse të shërbimeve të saj të inteligjencës. Megjithatë, siç thekson Raporti, vendi duhet të forcojë kapacitetin e tij për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve të inteligjencës.

Maqedonia e Veriut mbetet mesatarisht e përgatitur për sa i përket reformës së administratës publike. Është bërë përparim i kufizuar në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. U miratua Programi i ri i reformës 2022-2025 për menaxhimin e financave publike. Megjithatë, miratimi i legjislacionit për organizimin dhe punën e organeve të administratës shtetërore dhe kornizës së re ligjore për menaxhimin e burimeve njerëzore (rishikimi i Ligjit për nëpunësit administrativë dhe Ligjit për punonjësit e shërbimeve publike dhe një ligj i ri për shërbimin e lartë drejtues) ishte anuluar. Kuadri i ri synon të përmirësojë menaxhimin e burimeve njerëzore në të gjithë administratën dhe të ofrojë siguri më të madhe për punësimin, promovimin dhe shkarkimin e bazuar në merita, duke përfshirë edhe nivelin e menaxhmentit më të të lartë.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit ishte proaktiv në zgjidhjen e rasteve të nepotizmit dhe ndikimit politik në procesin e punësimit të zyrtarëve të sektorit publik dhe emërimit të anëtarëve të bordeve mbikëqyrëse dhe drejtuese.

Ligji i ri për Buxhetet u miratua në shtator të vitit 2022. Pas anulimeve dhe vonesave të gjata, Ligji i ri për Buxhetet, i cili parashikon rregulla fiskale dhe këshilla fiskale, u miratua nga Kuvendi në mesin e shtatorit, nënvizohet në Raportin e Komisionit Evropian në pjesën që përfshin punën e Kuvendit.

Related posts

Biden bën paralajmërimin e madh

Gazetamax.mk

Blick i kushton artikull biznesmenit kërçovarë/ Burek i shijshëm që ju bën konkurencë biznesit zviceran, njihuni me punën e Fatmir Memedit

Gazetamax.mk

Mariçiq: Jemi duke e përgatitur Doganën për hyrje në Unionin Doganor Europian

Gazetamax.mk