Japonia po përballet me temperatura të pazakonta për fundin e tetorit, pasi Tokio dhe Osaka kanë regjistruar mbi 30 gradë Celsius, duke thyer rekordet për datën më të vonshme të vitit kur temperaturat arrijnë këtë nivel.
Sipas medias Channel NewsAsia (CNA), e cila i referohet Agjencisë Meteorologjike të Japonisë dhe agjencisë së lajmeve AFP, temperaturat në të dy qytetet kaluan 30°C të mërkurën, më 21 tetor.
Ajri i ngrohtë dhe i lagësht që erdhi nga jugu përfshiu Japoninë, veçanërisht zonat përgjatë bregdetit të Paqësorit, duke shkaktuar temperatura jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të vitit.
Në Tokio, temperaturat kaluan 30°C gjatë orëve të para të pasdites. Sipas Kazuhiro Shirono, zyrtar për shkencën e të dhënave në Agjencinë Meteorologjike të Japonisë, ky është regjistrimi më i vonshëm i një temperature mbi 30°C në kryeqytetin japonez që nga fillimi i matjeve, në vitin 1875.
Rekordi i mëparshëm në Tokio ishte shënuar më 19 tetor 2024.
Edhe në Osaka, qytetin e dytë më të madh të Japonisë, temperaturat kaluan 30°C, duke tejkaluar rekordin e mëparshëm të regjistruar më 20 tetor 1933. Matjet meteorologjike në këtë qytet kanë nisur në vitin 1883.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë i cilëson ditët kur temperaturat arrijnë ose kalojnë 30°C si ditë vere, pavarësisht se ato mund të regjistrohen edhe në vjeshtë.
Shkencëtarët paralajmërojnë për ndikimin e ndryshimeve klimatike
Sipas Channel NewsAsia, shkencëtarët vlerësojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor po rrisin shpeshtësinë dhe intensitetin e episodeve të të nxehtit ekstrem në mbarë botën.
Japonia regjistroi verën më të nxehtë në historinë e matjeve meteorologjike në vitin 2025, ndërsa temperaturat e larta po bëhen gjithnjë e më të zakonshme në shumë pjesë të botës.
Gjithashtu, këtë vit, autoritetet meteorologjike japoneze kanë nisur të përdorin termin „kokushobi“, që nënkupton ditë me vapë ekstreme, kur temperaturat arrijnë 40°C. Përmes këtij përcaktimi, autoritetet synojnë të theksojnë rrezikun e lartë që paraqet i nxehti ekstrem për shëndetin dhe sigurinë e qytetarëve.
Burimi:botasot.info
