Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muamet Hoxha, sot zhvilloi takim me përfaqësues të Odës Ekonomike Maqedoni-Turqi (MATTO), në të cilin u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit në tranzicionin e gjelbër, nxitjen e investimeve në teknologjitë e gjelbra dhe përmirësimin e klimës së biznesit.
Në takim u theksua se tranzicioni i gjelbër nuk është vetëm një detyrim ekologjik, por edhe një mundësi zhvillimore për hapjen e investimeve të reja, rritjen e konkurrueshmërisë së kompanive, forcimin e pavarësisë energjetike dhe krijimin e vendeve të qëndrueshme të punës.
“Kompanitë dhe biznesmenët turq janë pjesë e rëndësishme e komunitetit të biznesit. Dëshirojmë që njohuritë, përvoja dhe kapitali i tyre të jenë pjesë e proceseve të modernizimit dhe transformimit të gjelbër të ekonomisë sonë. Për këtë na nevojiten dialog i hapur, partneritet dhe kushte të parashikueshme për investime”, theksoi Hoxha.
Sipas ministrit, qëllimi është të ndërtohet një sistem në të cilin mbrojtja e mjedisit jetësor dhe zhvillimi ekonomik plotësojnë njëri-tjetrin, ndërsa në këtë drejtim ai shprehu gatishmëri për të diskutuar iniciativa konkrete investuese.
Në fokus të bisedimeve ishin investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë, efikasitetin energjetik, menaxhimin e mbeturinave, riciklimin, ekonominë qarkore dhe zhvillimin e teknologjive të gjelbra. Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për përfshirjen e sektorit privat në realizimin e objektivave kombëtare dhe evropiane për veprim klimatik dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor.
Bashkëbiseduesit theksuan rëndësinë e vazhdimit të dialogut ndërmjet institucioneve dhe komunitetit të biznesit, si dhe të organizimit të aktiviteteve të përbashkëta dhe forumeve të biznesit kushtuar ekonomisë së gjelbër.
