Deputetja e BDI-së, znj. Rina Ajdari, në një takim të organizuar me Forumin e Gruas në Tetovë, ku u prezantua edhe kandidati i kësaj partie për komunën e Tetovës, Bajram Rexhepi, ka mbajtur një fjalim të drejtpërdrejtë dhe kritik mbi gjendjen aktuale të shqiptarëve në vend dhe mbi dështimet e pushtetit aktual qendror dhe lokal.
“Si deputete, dua të flas shkurtimisht mbi pozitën e shqiptarëve në vend. Realisht, shqiptarët sot janë në një gjendje të vështirë. Kemi kaluar një vit tepër të rëndë, sepse në pushtet kemi përfaqësues politikë shqiptarë që nuk kanë legjitimitetin e popullit, por janë të përzgjedhur nga Mickoski dhe punojnë për agjendën e VMRO-së,” theksoi Ajdari.
Ajo rikujtoi një sërë premtimesh të pambajtura nga qeveria aktuale, ku sipas saj shqiptarët kanë dalë humbësit më të mëdhenj:
Në fillim u hoq mekanizmi për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke lënë shqiptarët jashtë punësimeve.
U premtuan 2.500 vende të reja pune, por ato nuk u realizuan.
Nuk u themelua Akademia Shqiptare.
U deklarua se do të avancohej Marrëveshja e Ohrit, por kjo nuk ndodhi.
Ministria për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, tha Ajdari, sot drejtohet nga “një putinist”, gjë që e bën edhe më absurde situatën.
“Na premtuan integrimin e vendit në Bashkimin Europian, ndërsa sot kemi një vend të izoluar nga e gjithë bota, ku ndikimi rus dhe kinez është bërë më i fuqishëm se kurrë. Ne në Kuvend e pamë qartë se programi i kësaj qeverie është thjesht i VMRO-së, ku asnjë nga premtimet e VLEN-it nuk u reflektua,” u shpreh më tej deputetja.
Në vijim të fjalës së saj, Ajdari ndaloi edhe tek menaxhimi lokal në Tetovë, për të cilin u shpreh se ka degraduar qytetin dhe ka shitur pronën publike për një euro për metër katror. “Të gjithë si qytetarë jeni dëshmitarë se çfarë menaxhimi kemi në këtë komunë – një pushtet që shkatërron, nuk ndërton dhe punon kundër interesave të qytetarëve,” nënvizoi ajo.
Por sipas Ajdarit, alternativa ekziston dhe ajo vjen me kandidaturën e Bajram Rexhepit për Tetovën. “Ne kemi një kandidat të denjë për Tetovën, dhe ai është Bajram Rexhepi. Nuk është çështje emri apo partie, por është personalitet që ka mbajtur funksione me nder, ka punuar me dinjitet dhe gjithmonë ka kryer obligimet ndaj qytetarëve. Jemi këtu për të dëshmuar dhe për të thënë se Bajram Rexhepi ka nevojë për mbështetjen tuaj, sidomos të grave, për të larguar këtë menaxhment të dështuar të komunës,” u shpreh ajo.
Deputetja shtoi se fitorja në Tetovë do të ketë ndikim më të gjerë politik: “Nëse arrijmë t’i largojmë nga Tetova, do ta kemi shumë më të lehtë të largojmë edhe VLEN-in nga pushteti ekzekutiv. Ky është një hap që fillon këtu, nga Tetova, me përkrahjen tuaj.”
Takimi me Forumin e Gruas në Tetovë u mbyll me një atmosferë mobilizuese, ku Rina Ajdari theksoi edhe njëherë rëndësinë e pjesëmarrjes aktive të grave në proceset politike dhe në mbështetjen e kandidaturës së Bajram Rexhepit, të cilin e quajti “shpresën për një kthesë të madhe në Tetovë”.