GazetaMax
Lajme

Riorganizimi i ministrive, në përmbajtje e jo vetëm në emra

Riorganizimi i ministrive në Qeverinë e re të Maqedonisë së Veriut duhet të jetë në përmbajtjen e saj për realizimin e reformave në fushat ku nuk ka rezultate dhe jo të ndryshohen vetëm emrat. Kështu vlerësojnë njohësit e çështjeve të administratës publike dhe Institutit për Demokraci, duke komentuar ndryshimet në resorët e ekzekutivit që pritet të miratohen para votimit të saj në Kuvend.

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski, ka dorëzuar në Kuvend ndryshimet që kryesisht kanë të bëjnë me sektorët e ekonomisë dhe të administratës, por edhe të tjerë.

Nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë do të formohen dy ministri, njëra për Digjitalizim dhe tjetra për Administratë.

Nga Ministria e Ekonomisë do të formohet Ministria e Ekonomisë dhe Punës, ndërsa sektori i energjetikës që funksiononte në kuadër të ekonomisë do të bëhet Ministri për Energjetikë dhe Miniera.

Do të ketë edhe Ministri për Politikë Sociale, Demografi dhe të Rinj, pastaj Ministri për Kulturë dhe Turizëm, si dhe Ministri për Sport.

Jahi Jahiu, drejtues i Departamentit për administratë publike në Universitetin e Tetovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se çdo Qeveri ka të drejtën e riorganizimit të ministrive bazuar në programin e punës së saj, por kjo, sipas tij, nuk nënkupton se ndryshimi i emrave me automatizëm do të sjellë rezultate në punë.

“Është e drejtë e çdo qeverie që të vendosë se me cilat departamente, në këtë rast me cilat ministri, do ta zbatojë platformën politike, programin e saj që e ka paraqitur para Kuvendit. Pra, kjo është një e drejtë ekskluzive e Qeverisë dhe duhet të jetë si e tillë. Por, gjithashtu duhet theksuar se fakti që ndryshohet emrat dhe bashkohen kompetencat e disa ministrive në disa ministri tjera, apo formohen ministri të reja, asnjëherë nuk do të thotë se me automatizëm do të rrisë performancën e ekzekutivit në zbatimin e platformës së saj qeveritare. Pra, janë dy gjëra që nuk shkojnë me njëra-tjetrën”, thotë Jahiu.

Marko Trashanovski nga Instituti për Demokraci, thotë se rezultatet e punës së një ministrie janë më të rëndësishme se sa emri që do të mbajë. Sipas tij, drejtuesit e rinj duhet të mbahen përgjegjës për realizimin e gjithë asaj çfarë kanë premtuar.

Ai mirëpret vendimin për themelimin e Ministrisë së Digjitalizimit duke marrë parasysh zhvillimin e teknologjisë në botë, por edhe lehtësirave që ofrohen për qytetarët, të cilët aktualisht harxhojnë shumë kohë për marrjen e një certifikate në zyrat e gjendjes civile.

“Nëse qytetarët e plotësojnë një formular në formë elektronike patjetër që edhe dorëzimi i tij duhet të bëhet në mënyrë elektronike, sikurse edhe marrja e tij më pas. Që qytetarët t’i vërejnë rezultatet, duhet që ata fare të mos kenë kontakt me punonjësin e zyrës, por nga fillimi e deri në fund shërbimin ta marrin në formë elektronike. Gjithashtu, duhet që institucionet të punojnë për një bazë të unifikuar të të dhënave që do të lehtësonin edhe më shumë punën e tyre”, vlerëson Trashanovski.

Ndërkaq profesor Jahiu thotë se nëse Qeveria, vërtet, mbetet e përkushtuar për të reformuar administratën, si dhe institucionet e tjera, atëherë duhet patjetër që të themelojë mekanizma që këtyre institucioneve apo ministrive t’ua matë rezultatet në punë.

”Vetëm atëherë, pra duke ua matur performancën, ne mund të shohim se cili ishte ndikimi i performimit të këtyre institucioneve te qytetarët e Maqedonisë së Veriut. Nëse këtë nuk e bëjmë dhe nëse e vlerësojmë vetëm si vlerë impute, pra vetëm hyrjet pa i matur rezultatet, atëherë lirisht mund të themi se këto do të ngelin vetëm disa aktivitete kozmetike sa për të thënë se ja, ne po bëjmë diçka”, thekson Jahiu.

Ndryshimet ligjore, me të cilat parashihet riorganizimi i ministrive, u dorëzuan për miratim në Kuvend me procedurë të shpejtuar, me qëllim të votimit më pas të Qeverisë së re.

Kryetari i VMRO DPMNE-së, Hristijan Mickoski, pas marrjes së mandatit nga presidentja Gordana Silanovska-Davkova, të enjten tha se Qeveria e re do të miratohet në Kuvend para afatit ligjor prej 20 ditësh.

Related posts

Krim në famlje, detaje nga vrasja në Elbasan, kunati qëlloi me sëpatë motrën e gruas në rrugë, autori u arrestua “rastësisht”

Gazetamax.mk

BDI mban zgjedhje të drejtpërdrejta partiake në dhjetë degë

Gazetamax.mk

Trajanov me kusht për zgjerimin e Qeverisë, BDI ka probleme dhe duhet ta paguajë çmimin

Gazetamax.mk