GazetaMax
Lajme

Rivarrosen mbetjet mortore të shtatë personave të zhdukur, viktima të Masakrës së Krushës së Vogël

Pas 23 vitesh nga Masakra në Krushë të Vogël, janë rivarrosur sot mbetjet mortore të shtatë viktimave të luftës, që ishin vrarë e zhdukur nga forcat e armatosura serbe në këtë masakër, më 26 mars 1999.

Në ceremoninë e varrimit mori pjesë Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, Nënkryetaren e Kuvendit, Saranda Bogujevci, Ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe Kryetarin e Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, gjatë luftës, Andin Hoti.

“Sot, përveç para atyre që s’janë më, përkulemi edhe para forcës suaj, të mbijetuarve të kësaj masakre, për të ngritur jetë mbi zbrazëtinë dhe hirin që gjetët kur u kthyet pas tre muajsh në fshatin tuaj. Para 23 vitesh, forcat serbe ndanë gjakftohtësish familjet, ndalën burrat dhe djemtë dhe i dëbuan nga fshati të gjitha gratë dhe fëmijët. Në këtë masakër u vranë 112 shqiptarë, 70% të burrave dhe djemve të fshatit të moshës nga 13 deri në 77 vjeç, u zhdukën. Nga kjo masakër 82 gra humbën bashkëshortët e tyre e 145 fëmijë mbetën pa baballarë. Ndërsa nga 145 shtëpi banimi, vetëm 8 i shpëtuan djegies dhe shkatërrimit nga aksioni serb”, tha kryeministri Kurti.

Në Kompleksin e Varrezave të Martirëve në fshatin Krushë e Vogël, sot u varrosën shtatë viktimat e masakrës, e që ishin në Listën e personave të zhdukur gjatë luftës: Nuredin (Qazim) Shehu, viti i lindjes 1927, Hysen (Maxhun) Zylfiu, viti i lindjes 1935, Ahmet (Manush) Berisha, viti i lindjes 1938, Nue (Shyt) Prenkaj, viti i lindjes 1960, Sami (Aziz) Shehu, viti i lindjes 1974, dhe Skyfer (Osman) Batusha, viti i lindjes 1981.

Related posts

Osmani: Çështjet bilaterale dhe historike nuk do të jenë kriter për të lëvizur përpara në procesin me Bullgarinë

Gazetamax.mk

“Mesazhi i dashurisë” që shkaktoi dy viktima, zbardhen detaje nga tragjedia në Maliq

Gazetamax.mk

Editorial / Propozimet e VMRO-së për tejkalimin e krizës energjetike, shfrytëzim për pikë politike!

Gazetamax.mk