Ish-ministri i Kulturës, Astrit Haraqija, është njëri nga gjashtë personat e arrestuar në aksionin policor “Heshtja”, të zhvilluar të shtunën në rajonin e Prishtinës kundër një grupi të dyshuar për trafikim dhe shpërndarje të kokainës. Arrestimin e ka konfirmuar avokati i tij, Korab Bokshi, i cili mohon që klienti i tij të ketë lidhje me veprën penale për të cilën dyshohet.
Bokshi ka thënë për KALLXO.com se Haraqija është intervistuar nga Policia dhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh. “Është e vërtetë që Astritin e kanë arrestuar mbrëmë”, ka deklaruar ai, pa dashur të hyjë në detaje të hetimit.
Sipas avokatit, hetuesit e kanë pyetur ish-ministrin për disa persona, një pjesë të të cilëve ai i njeh si figurë publike, e të tjerët jo. Bokshi ka bërë të ditur se Policia ka bastisur edhe banesën e Haraqisë, por se gjatë kontrollit, sipas tij, nuk është gjetur asgjë inkriminuese.
Mbrojtja tashmë ka reaguar edhe formalisht. “Kemi bërë ankesë kundër vendimit për ndalim”, ka thënë Bokshi për Telegrafin.
Roli i ish-ministrit, ende i paqartë
Policia e Kosovës në komunikatën e saj nuk ka përmendur emra të të arrestuarve. Se çfarë roli i atribuohet Haraqisë në këtë rast, ende nuk dihet. Burime të KALLXO.com brenda Policisë kanë thënë se bëhet fjalë për një rast që lidhet me shitjen e sasive të vogla të kokainës në Prishtinë.
Aksioni “Heshtja” është realizuar më 14 nëntor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI). Sipas Policisë, ai erdhi pas një hetimi të gjatë me masa të veçanta hetimore, i cili ka zbardhur dyshimet për një grup me “strukturë të organizuar dhe nivele të qarta hierarkike”, nga personat në nivel drejtues deri te shpërndarësit në rrugë.
Gjatë bastisjeve në disa lokacione janë arrestuar gjashtë persona, ndërsa një tjetër është liruar në procedurë të rregullt. Të dyshuarit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
Çfarë u sekuestrua
Policia ka njoftuar se ka sekuestruar rreth 1.6 kilogramë kokainë, si dhe sasi të tjera të substancave të dyshuara narkotike: marihuanë, tableta të dyshuara të ekstazisë dhe një substancë të panjohur.
Janë sekuestruar edhe gjashtë vetura, rreth 16 mijë euro para të gatshme në valuta të ndryshme, ora luksoze të markave Rolex dhe Franck Muller, stoli të çmuara, një armë zjarri, municion, thika, peshore digjitale dhe pajisje për paketimin e narkotikëve. Hetuesit kanë marrë edhe dokumente e shënime që do të trajtohen gjatë hetimeve.
Sipas vlerësimit të Policisë, vetëm kokaina e sekuestruar ka vlerë të mundshme prej rreth 111 mijë eurosh në treg, ndërsa vlera e përgjithshme e drogës dhe aseteve arrin në rreth 301 mijë euro. Policia ka bërë të ditur se hetimet dhe veprimet operative po vazhdojnë.
Kush është Astrit Haraqija
Haraqija, i lindur në vitin 1972, ishte ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit nga viti 2004 deri më 2008, nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Para kësaj kishte drejtuar forumin rinor të LDK-së në Gjakovë dhe ishte kryeshef ekzekutiv i kësaj komune, ndërsa në vitin 2004 u zgjodh anëtar i kryesisë së partisë.
Të gjithë personat e përmendur konsiderohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës.
Burimi: botasot.info
