GazetaMax
Lajme

Rrëfehet Ilir Meta: Nuk ndihem i burgosur, por i izoluar për të dobësuar veprimin opozitar

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka folur nga qelia për Gazetën Panorama, duke dhënë argumentet pse është kundër arrestimit të tij.

 

Ai po ashtu shprehet se ka pasur oferta për t’u arratisur, por nuk është në karakterin e tij për të bërë këto veprime, ndërsa thekson se arrestimi i tij ishte një akt ekstrem.

“Dihet botërisht se unë gjithmonë kam qenë i hapur dhe u jam përgjigjur ftesave të SPAK-ut dhe çdo institucioni të drejtësisë. Po kështu, unë i kam pasur të gjitha mundësitë (edhe ofertat) për t’u larguar nga vendi dhe kjo jo vetëm s’ka ndodhur, por s’ka lidhje me karakterin tim, për më shumë që do justifikoja akuzat false të Ramaformës dhe do braktisja, ata që më kanë zgjedhur dhe më mbështesin”, tha ndër të tjera Ilir Meta.

Meta nuk e quan burgosje, por izolim me qëllim për të dobësuar aktivitetin e Partisë së Lirisë dhe veprimtarinë opozitare.

Ish-Presidentit shprehet se burgun e njeh që nga koha kur vizitonte Fatos Nanon, herë me leje dhe herë pa leje.

PJESE NGA INTERVISTA

Por nuk u dukët aq i qetë në momentin e arrestimit?

Ai nuk ishte arrestim, por rrëmbim i mirëfilltë, ashtu siç veprojnë vetëm bandat. Si mund të inskenohet për minuta të tëra bllokimi i trafikut në një nga akset kryesore të hyrjes në kryeqytet nga dhjetëra forca me maska, me armatim të rëndë dhe me makina private, të cilat bënin veprime fiktive sikur kontrollonin makinat e qytetarëve për të ardhur si banditë te makina ku udhëtoja unë bashkë me sekretarin për organizimin të Partisë së Lirisë, Artimis Peca?!

Sjellja e tyre ishte banditeske, rrugaçërore duke hyrë me forcë në automjet bashkë me automatikët me maska në kokë, pa pranuar të identifikohen se kush janë, se çfarë përfaqësojnë dhe pa paraqitur asnjë dokument ligjor apo shkresë zyrtare që urdhëronte ndalimin tim. Ndaj unë refuzova të pranoja rrëmbimin, duke besuar se mund të ishin edhe banditë si ata që rrëmbyen ishKryeministrin e Italisë, Aldo Moro. Edhe ata me uniforma policie e bënë rrëmbimin. Me gënjeshtrat e pacipa se unë kam ushtruar dhunë duan vetëm të justifikojnë paligjshmërinë ekstreme, dhunimin e Kushtetutës dhe të ligjit, por edhe të vetë urdhrit për “arrest” të SPAKut.

Po kështu, ata prangosën dhe rrëmbyen edhe sekretarin për organizimin të PL, Artimis Peca, për të cilin nuk kishte pasur asnjë urdhër ndalimi. Njëkohësisht ata nuk na lejuan të kontaktojmë me avokatët dhe nuk na njohën me të drejtat tona sipas ligjit. Vetëm pas 2 orësh në Drejtorinë e Policisë, m’u dha vendimi gjyqësor, ndërsa Artimis Peca u lirua pasi nuk kishte asnjë vendim. Pra, ata kafshë, se punonjës policie s’mund t’i quash, po të kishin qenë edhe dy persona të tjerë në makinë me mua, do t’i kishin arrestuar po njësoj si Artimisin, pra për “qejf”. Ky është rrumpallështeti i Edi Ramës, që nuk do ta ketë të gjatë. Sikur të silleshin kështu me bandat narkopolicët e Edi Ramës, nuk do ndodhnin tragjedi si kjo e Shkodrës.

E njihnit më herët burgun…?

E njoh burgun herët, që nga vitet ‘93-‘94 kur vizitoja Fatos Nanon në burgun e Bënçës edhe pa leje, edhe me leje. Po kështu nuk ndjehem i burgosur, por thjesht i izoluar në mënyrë ekstreme dhe të paligjshme vetëm për arsye shumë të forta politike. Së pari, për të paralizuar aktivitetin e Partisë së Lirisë, si forca e dytë opozitare dhe për të dobësuar reagimin dhe veprimin opozitar. Sepse s’kishte asnjë arsye për këtë akt ekstrem kur dihet botërisht se unë gjithmonë kam qenë i hapur dhe u jam përgjigjur ftesave të SPAK-ut dhe çdo institucioni të drejtësisë.

Po kështu, unë i kam pasur të gjitha mundësitë (edhe ofertat) për t’u larguar nga vendi dhe kjo jo vetëm s’ka ndodhur, por s’ka lidhje me karakterin tim, për më shumë që do justifikoja akuzat false të Ramaformës dhe do braktisja, ata që më kanë zgjedhur dhe më mbështesin. Llogaritë e tyre për të më bllokuar e “lodhur” gjatë 10 muajve të fundit nuk funksionuan. As përpjekja e tyre për të prishur Konventën historike të 27 prillit, që miratoi 5 Prioritetet për 4 milionë shqiptarë plus.

Dështuan edhe përpjekjet e mëpasshme për të bllokuar organizimin e Partisë së Lirisë dhe veprimtarinë e saj financiare, aq sa financierja e PL për 20 vite u largua nga detyra vetëm duke lënë çelësat te roja e partisë dhe pa bërë asnjë dorëzim, detyrë e sqarim të problemeve të trashëguara. Por zgjedhjet po afrojnë dhe koha nuk u priste më ndaj vepruan në këtë mënyrë banditeske. Duan të çorodisin e trembin opozitën e vërtetë dhe të krijojnë hapësira për partiçkat ‘fake’ opozitare, që ushqehen nga regjimi, nga qeveria, bashkia dhe fondacionet famëkeqe të rekrutimit dhe shpëlarjes së mendjes të të rinjve.

Related posts

Qeveria dëshiron të parandalojë lajmet e rreme për krizën energjetike, do të informojë rregullisht

Gazetamax.mk

Miratohen ndryshimet ligjore për heqjen e tatimit progresiv dhe tatimimit të interesit të kursimeve

Gazetamax.mk

Radio stacionet nacionale nuk do të paguajnë kompensim për distribuimin e sinjalit për vitin 2022

Gazetamax.mk