Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka paralajmëruar mbajtjen e një proteste me moton “Kundër vrasjes së grave – Femicidi është urgjencë kombëtare!”, e cila do të mbahet nesër, më 25 nëntor, në Prishtinë.
Protesta do të nisë në orën 12:00, në sheshin “Zahir Pajaziti”, ku organizatorët dhe pjesëmarrëset do të kërkojnë përgjegjësi institucionale, drejtësi dhe masa konkrete për parandalimin e vrasjeve të grave.
Përmes një komunikate, RrGK ka theksuar se femicidi duhet të trajtohet si urgjencë kombëtare, duke kërkuar nga institucionet që të ndërmarrin veprime konkrete për mbrojtjen e grave.
Organizata ka rikujtuar se vrasjet e grave shpesh paraprihen nga kërcënime, përndjekje, kontroll dhe forma të tjera të dhunës, ndaj institucionet duhet t’i trajtojnë me seriozitet raportimet dhe kërkesat për ndihmë, për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës.
Ndër kërkesat kryesore të protestës janë ndryshimi i Kodit Penal dhe përcaktimi i femicidit si vepër penale e veçantë, krijimi i mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin dhe analizimin e rasteve, si dhe ndarja e buxhetit të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet e specializuara për mbrojtjen e grave.
Po ashtu, RrGK kërkon zbatimin e plotë të legjislacionit, koordinim më të mirë ndërinstitucional, vlerësim serioz të rrezikut dhe llogaridhënie për institucionet përgjegjëse.
Në thirrjen e saj, organizata ka theksuar se përgjegjësia për parandalimin e dhunës nuk duhet t’u lihet grave që kërkojnë ndihmë, por institucioneve që kanë për detyrë t’i mbrojnë ato.
Burimi: botasot.info
