Senegali rikthehet zyrtarisht kampion i Kupës së Kombeve të Afrikës, CAS ia heq titullin Marokut

Senegali është rikthyer zyrtarisht kampion i Kupës së Kombeve të Afrikës, pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (CAS) ka rrëzuar të martën vendimin e mëparshëm që ia kishte dhënë trofeun Marokut.

Senegali e kishte fituar titullin në fushën e lojës, në një finale kaotike të zhvilluar në Marok në janar, por në muajin mars e humbi atë pas një vendimi të Komisionit të Apelit të Konfederatës Afrikane të Futbollit (CAF).

Sipas “Associated Press”, vendimi i atëhershëm erdhi pasi futbollistët senegalezë braktisën përkohësisht fushën në shenjë proteste, në minutat shtesë të pjesës së dytë, pas akordimit të një penalltie në favor të Marokut.

Megjithatë, CAS ka rrëzuar vendimin e CAF-it, duke marrë parasysh faktin se gjyqtari i ndeshjes, Jean-Jacques Ndala, kishte lejuar vazhdimin e lojës pas protestës së futbollistëve.

Rregullorja e turneut parashikon humbjen e ndeshjes për një skuadër që refuzon të luajë, por CAS ka sqaruar se ky përcaktim vlen vetëm në rastet kur sjellja e një skuadre e detyron gjyqtarin ta ndërpresë përfundimisht takimin.

Sipas gjykatës, arbitri Ndala nuk ka gabuar në interpretimin e rregullave kur ka vendosur të rifillojë ndeshjen.
Finalja mes Senegalit dhe Marokut u zhvillua në rrethana tejet të tensionuara. Në minutat e fundit të kohës së rregullt, me rezultatin 0:0, futbollistët e Senegalit u larguan nga fusha në shenjë proteste ndaj penalltisë së akorduar për Marokun.

Pas rreth 15 minutash ndërprerje, loja rifilloi. Brahim Diaz dështoi të shënonte nga pika e bardhë, pasi portieri senegalez priti goditjen e tij.

Senegali arriti të shënonte në vazhdime, duke fituar finalen me rezultatin 1:0 dhe duke siguruar titullin në fushën e lojës.

Dy muaj më vonë, CAF e përmbysi rezultatin dhe regjistroi fitoren 3:0 në tavolinë për Marokun.
Me vendimin e fundit, CAS e ka rrëzuar atë vendim dhe ka rikthyer Senegalin si kampion të Kupës së Kombeve të Afrikës 2025.

Vendimet e CAS-it mund të kundërshtohen në Gjykatën Supreme të Zvicrës, por vetëm për arsye të kufizuara procedurale.

Ndërkohë, edicioni i ardhshëm i Kupës së Kombeve të Afrikës për meshkuj do të nisë në qershor dhe do të organizohet nga Kenia, Uganda dhe Tanzania.

Burimi: botasot.info