GazetaMax
Lajme

Së shpejti seanca e komisionit për bashkëpunim tregtaro-ekonomik mes RMV-së dhe Kazakistanit

Shkup, 1 nëntor – Në dy ditët e ardhshme në Shkup do të mbahet seanca e parë e komisionit ndërqeveritar për bashkëpunim tregtaro-ekonomik në të cilën do të merren vendime të rëndësishme për forcimin e ardhshëm të lidhjeve afariste dhe ndërlidhjen e bizneseve nga Maqedonia e Veriut dhe Kazakistani., paralajmëroi sot ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani në konferencën e përbashkët për shtyp me nënkryetarin e Qeverisë dhe shefin e diplomacisë së Kazakistanit Muhtar Tleuberdi.

Prej nesër për vizitë në vend do të qëndrojë dhe ministri i Ekonomisë i Kazakistanit që, sipas Osmanit, është një tregues shtesë i dinamikës intensive me të cilën po zhvillohen lidhjet ekonomike, që është në interes të të dyja vendeve.

Osmani paralajmëroi edhe se vitin e ardhshëm në pranverë planifikojnë mbajtjen e forumit të dytë të biznesit në Shkup në organizim të përbashkët me Kazakistanin.

“Sot patëm një takim vërtet produktiv në të cilin diskutuam aspekte të ndryshme dhe hapëm çështje të rëndësishme për marrëdhëniet tona dypalëshe. Fokus vendosëm në bashkëpunimin ekonomik dhe afarist, duke konstatuar me kënaqësi progresin e arritur në këtë fushë. U përqendruam edhe në mundësinë e krijimit të një linje ajrore direkte ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kazakistanit. Jo vetëm që të dyja vendet kanë nevojë për më shumë komunikim, por kjo do të kontribuojë në një lidhje më të mirë mes rajoneve të Ballkanit Perëndimor dhe Azisë Qendrore”, informon Osmani.

Me Tleuberdin kanë shkëmbyer mendime edhe për sfidat aktuale të cilat dalin nga agresioni rus kundër Ukrainës, ku Osmani e informoi për qëndrimin tonë të qartë se nevojitet ndërprerja e veprimeve ushtarake dhe tërheqja e plotë e forcave ushtarake ruse nga territori ukrainas. Në takim e kanë hapur edhe çështjen e krizës energjetike, si dhe sfidën e disponueshmërisë së ushqimit, ndërsa kanë biseduar edhe për kryesimin tonë të ardhshëm me OSBE-në në vitin 2023.

Ministri i Punëve të Jashtme i Kazakistanit, Tleuberdi, ndërkaq, shtoi se si shtet angazhohen për krijojimin e kushteve për zhvillim më të madh të marrëdhënieve tona dypalëshe.

“Biseduam për mundësitë dhe perspektivat për zhvillimin e marrëdhënieve mes të dyja vendeve në kontekstin politik, kulturor e të tjera. Do të bëjmë përpjekje që ta rrisim intensitetin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Presidenti ynë mori vendim për hapjen e Ambasadës së Kazakistanit në Shkup vitin e ardhshëm. E urojmë Maqedoninë e Veriut për zgjedhjen e saj për kryesues të OSBE-së për vitin 2023 dhe i dëshirojmë suksese të mëdha vendit tuaj”, tha Tleuberdi.

Lidhur me bashkëpunimin dypalësh ekonomiko-tregtar, ai theksoi se kanë perspektiva të mira dhe se vëllimi i tregtisë së tyre dypalëshe këtë vit është rritur për dhjetë herë.

“Kjo do të thotë se kemi mallra dhe shërbime që mund t’i ofrojmë në tregun e Maqedonisë së Veriut. E dimë se në Maqedoninë e Veriut keni një sektor të fuqishëm bujqësor, jemi të interesuar, nga ana jonë mund të sigurojmë energji, lëndë të para… Marrëdhëniet tona mund të shërbejnë për të forcuar marrëdhëniet midis Azisë Qendrore dhe Ballkanit Perëndimor. Komuniteti juaj afarist mund ta përdorë këtë për të përmirësuar lidhjet transportuese”, tha Tleuberdi.

Related posts

Kryeministri Kurti: Pagën minimale do ta bëjmë 264 euro

Gazetamax.mk

Joleski: Kritikat e ambasadores amerikane duhet t’i drejtohen politikës dhe jo gjyqësorit

Gazetamax.mk

Qeveria me paga dy herë më të ulëta se ato të Kosovës dhe dhjetë herë më të ulëta se ato të Austrisë

Gazetamax.mk