Mijëra ushtarë të ushtrive të Filipineve dhe Shteteve të Bashkuara të hënën i filluan ushtrimet e përbashkëta ushtarake trejavore.
Këto ushtrime do të jenë të përqendruara në mbrojtjen territoriale dhe komandimin e dislokimeve të nivelit të lartë të forcave, tha ushtria filipinase, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Rreth pesë mijë ushtarë nga ushtria filipinase dhe Komanda e Indo-Paqësorit e ushtrisë amerikane do të marrin pjesë në ushtrime dhe këmbim të ekspertizës në fazën e parë të ushtrimit “Salaknib” këtë vit. Faza e dytë pritet të zhvillohet më vonë këtë vit.
Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Pete Hegseth, pritet të udhëtojë për në Manila këtë javë për t’u takuar me udhëheqës dhe ushtarë filipinas, njoftoi Pentagoni javën e kaluar.
Ushtrimet do të përqendrohen në fuqizimin e operacioneve të kombinuara mes ushtrive, manovrimet e shkallës së lartë, ushtrimet me municion të vërtetë dhe mbrojtjen territoriale, tha ushtria filipinase në një deklaratë.
Ushtrimet “Salaknib” nisën në vitin 2016 dhe janë organizim vjetor mes dy vendeve aleate, pjesë e ushtrimeve më të gjera trajnuese “Balikatan” (“Krahë për krahë”).
Angazhimet e sigurisë mes Shteteve të Bashkuara e Filipineve janë shtuar nën pushtetin e presidentit filipinas, Ferdinand Marcos Jr., i cili i është afruar Uashingtonit.
Ai e ka bërë prioritet mbrojtjen e të drejtave sovrane të Filipineve në Detin Jugor të Kinës dhe është përplasur disa herë me Pekinin për shkak të veprimeve të autoriteteve kineze në rrugën e kontestuar ujore, përfshirë praninë e vazhdueshme të rojës bregdetare kineze në zonën e kontestuar.
Sekretari Hegseth është zyrtari i parë i Kabinetit të ShBA-së që do ta vizitojë kryeqytetin Manila që nga rikthimi i presidentit Donald Trump në pushtet në janar të këtij viti.
Filipinet siguruan një përjashtim nga ngrirja 90-ditore e fondeve që Trumpi e urdhëroi në janar në mënyrë që shteti aziatik të mund të pranojë 336 milionë dollarë për modernizimin e forcave të sigurisë.