GazetaMax
Lajme

Shehidllëku i Hazreti Huseinit mburojë e pastërtisë fetare Islame

Muaji i Muharremit dhe veçanërisht dhjetë ditët e para të të këtij muaji janë të zymta dhe me mërzi për të gjithë ata që kanë dashuri ndaj familjes së pastër të Pejgamberit a.s. (Ehli Bejti paki Mustafa) për shkak të rënies shehid të nipit të Pejgamberit a.s., Hazreti Huseinit bashkë me familjen e tij, në fushën e Qerbelasë. Ngjarja e Qerbelasë është analizuar dhe shqyrtuar nga shumë aspekte në traditën e mendimit Islam dhe pa përjashtim është konsideruar si një ngjarje e rëndë dhe makabre e pushtetit zullumqar ndaj familjes së pastër të Pejgamberit a.s..

Shkruan: Metin Izeti

Krahas dhimbjes që ka shkaktuar kjo ngjarje e përgjakshme, kujtoj, se ajo ka një rëndësi tjetër shumë të madhe në vazhdimësinë e mendimit dhe fetarisë islame gjatë shekujve. Ngjarja e Qerbelasë është një fenomen i kundërshtimit të pushtetit tiran me qëllim të mbrojtjes së fesë së pastër të shpallur nga ana e Allahut xh.sh.. Hazreti Huseini kur është nisur nga Meka, ku e kishte bërë haxhin, për në Qerbela, një pjesë e madhe e miqve të tij të afërm e kanë këshilluar që të mos niset, pasi ai nuk kishte ushtri të fortë si ajo e Jezidit dhe se kishte gjasa që irakianët ta tradhtojnë. Mirëpo përgjigja e Hazreti Huseinit ishte se ai ishte ftuar për të mbrojtur drejtësinë dhe të vërtetën dhe se nuk dëshironte të mbahet mend në histori si personi i cili është ftuar për ta luftuar zullumin dhe nuk i është përgjigjur kësaj ftese. Ky denoncim i Hazreti Huseinit para shtëpisë së Allahut në Mekë mendoj se është një komunikatë dhe manifesto shumë e rëndësishme që do të ndikojë në ruajtjen e vlerave të pastra të fesë së shpallur dhe nuk do të lejojë ndikimin arrogant të pushtetmbajtësve ndaj fjalës së pastër hyjnore. Ne jemi dëshmitarë për ndikimet që pushtetet e ndryshme deri atëherë i kanë ushtruar ndaj feve të ndryshme madje edhe atyre të shpallurave. Mirëpo kjo nuk ka ndodhur me fenë Islame. Sakrifica e Hazreti Huseinit dhe familjes së pastër pejgamberike për të vërtetën gjatë tërë historisë islame ka qenë shembull i kundërshtimit dhe rebelimit ndaj pushtetit i cili është përpjekur që vendimet dhe sjelljet e tij t’i arsyetojë nëpërmjet autoritetit fetar. Në të gjitha periudhat e shoqërisë myslimane pas kalimit në ahiret të Pejgamberit a.s. kanë ekzistuar komunitete dhe mendimtarë të cilët, të udhëhequr nga shembulli i Hazreti Huseinit, e kanë kundërshtuar mendimin apo edhe vendimin zyrtar të pushtetit në lidhje me ndonjë çështje të caktuar shoqërore ose fetare. Kujtoj se kjo edhe ka shërbyer si filtër që nuk ka lejuar lajthitjen e çështjeve bazike fetare gjatë historisë islame.

Hazreti Huseini, nipi Pejgamberit a.s., mik i afërm i Allahut, e kishte të njohur faktin se nuk do ta fitojë betejën fizike dhe momentale me Jezidin tiran, por ai, gjithashtu, e kishte të qartë se beteja e vërtetë e tij është ruajtja e pastërtisë së fetarisë dhe shpirtërisë islame në brezat që do të vinë deri në ditën e gjykimit. Ai e ka fituar këtë betejë dhe emri i tij është sinonim i rebelimit të elitës fetare dhe shoqërore kundër zullumit të pushtetit. Ky fakt është shumë i rëndësishëm. Pra, nuk rebelohet pjesa e turmës kundër pushtetit, por rebelohet elita më e lartë e shoqërisë myslimane dhe ajo sakrifikohet për ta ruajtur pastërtinë e kësaj feje madhështore.

Në fjalimin e fundit në Mekë, para se të niset për në Irak, Hazreti Huseini i ka thënë këto fjalë: “I gjithë lavdërimi i takon Allahut. Çfarëdo që të dojë Allahu, do ta ketë. Fuqia dhe forca vijnë vetëm nga Allahu. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Tij. Ashtu si gjerdani i shkon për shtat vajzave, edhe vdekja i përshtatet qenieve njerëzore. Unë dëshiroj t’i shoh paraardhësit e mi ashtu siç dëshironte Pejgamberi Jakub të shihte Jusufin. Mua më është caktuar një thertore për të mbërritur. Nuk ka shpëtim nga një ditë e tillë siç është shkruar në Levhi Mahfudh (Pllakën e Mbrojtur). Ne jemi të kënaqur me atë që është i kënaqur Allahu. Ne jemi të kënaqur edhe me Ehli Bejtin. Ne tregojmë durim dhe drejtim përballë sprovës së Tij. Ai do të na japë neve shpërblimin e durimtarëve. Bijtë e Pejgamberit, të cilët janë pjesë të trupit të tij, nuk do të ndahen kurrë prej tij, do të jenë me të edhe në Xhenet”.

Nëse analizohen me kujdes fjalët që Hazreti Huseini i ka thënë në fjalimin e tij para shtëpisë së Allahut në Mekë shihet qartë se ai plotësisht ka qenë i vetëdishëm për fundin që e priste në fushat e Irakut, mirëpo, ishte plotësisht i përgatitur për t’u sakrifikuar për rrugën e gjyshit të tij dhe për asnjë çmim nuk pajtohej me lajthitjet pushtetare në lidhje me pastërtinë e fesë së shpallur nga Allahu xh.sh.. Fjalimi i fundit i tij është një manifesto e sakrificës për të vërtetën dhe besnikëri ndaj idealit që është qëllim i krijimit të njeriut. Ai e dinte se rënia shehid e tij në fushat e Irakut ishte sihariq që e ka shprehur me takimin e Jakubit a.s. me djalin e tij Jusufin a.s.. Jakubi a.s., së bashku me djemtë e tij, i ishin nënshtruar Jusufit a.s.. Vëllezërit që i kishin bërë padrejtësi Jusufit e kishin kuptuar gabimin e tyre dhe kishin kërkuar falje prej Jusufit a.s.. Pra, Hazreti Huseini na tregon në këtë fjalim se ummeti islam gjithnjë do të ndjejë keqardhje për atë që i është bërë familjes së pastër pejgamberike dhe në të gjitha periudhat deri në ditën e gjykimit do të kërkojë falje prej tyre duke e shtuar dashurinë ndaj tyre.

Si rrjedhojë, koncepti i islamit pushtetar në asnjë periudhë të historisë islame nuk ka ngadhnjyer ndaj konceptit esencial të mbrojtur nga ana e dijetarëve dhe urtarëve myslimanë. I tillë është edhe rasti i burgosjes së Imam A’dham Ebu Hanifes, Ahmed b. Hanbelit dhe shumë gnostikëve të tjerë, madje edhe në trojet tona shqiptare në periudhën e komunizmit, vetëm për shkak se nuk janë pajtuar me pushtetin për të ndryshuar kanunin e evlijasë dhe të ylemasë.

Pushteti për të mbrojtur pozitën e vete, shpesherë, është në gjendje që të shkel edhe mbi vlerat më të rënda të njerëzores dhe atij në këto raste mund t’i kundërvihet vetëm vlera e diturisë dhe fetarisë së pastër dhe asgjë tjetër. Për ta treguar konceptin e pushtetit tiran Hazreti Huseini në fushën e Qerbelasë u drejtohet ushtarëve të Jezidit me këto fjalë:

“O njerëz! Më thuani lozën time. Kush jam unë që ju doni të vrisni? Ejani në vete dhe pastaj dënoni veten. A lejohet të më vrisni dhe të mos i kushtoni vëmendje urdhërave se duhet të më respektoni dhe të më ndiqni? A nuk jam unë djali i vajzës së Pejgamberit tuaj? A nuk jam unë i biri i Fatimes? A nuk jam unë djali i djalit të xhaxhait të Pejgamberit? A nuk jam unë i biri i atij që pranoi Islamin para çdokujt tjetër dhe e vërtetoi pejgamberinë e Pejgamberit? A nuk jam unë djali i të riut të parë që u kthye në Islam? A nuk jam unë djali i Hazret Aliut? A nuk jam unë nipi i Hazreti Hamzës, Mjeshtrit të Dëshmorëve? A nuk jam unë nipi i Xhafer Tajarit, të cilit iu prenë krahët në Xhihad? A nuk është xhaxhai im Xhafer b. Ebi Talib? A e dini se kë do të vrisni? A nuk i keni dëgjuar fjalët e Pejgamberit a.s për mua dhe vëllanë tim: Këta të dy janë zotërinjtë e të rinjve të Xhenetit? Këto fjalë që them janë të vërteta. Pasha Allahun, nuk kam gënjyer që nga dita që kam dëgjuar se Allahu do të zemërohet me gënjeshtarin. Nëse nuk më besoni mua, tani ka edhe sahabë të Pejgamberi a.s. në mesin e muslimanëve, nëse i pyetni ata për këtë, ata do t’ju thonë. Pyetni ata për këtë.Këta sahabe dëgjuan se çfarë tha Pejgamberi për mua dhe vëllain tim.A nuk ju pengojnë këto fjalë që të mos derdhni gjakun tim? Nëse dyshoni në fjalët e Pejgamberit për mua dhe vëllain tim, a dyshoni se unë jam djali i vajzës së Pejgamberit? Pasha Allahun, në mes të lindjes dhe perëndimit, në mesin tuaj nuk ka asnjë pasardhës të Pejgamberit përveç meje. Turp të keni. Dëshironi të më dënoni, por, për çka? Për dikë që kam vrarë, për pasurinë që i kam ngrënë dikujt, apo për një plagë që i kam shkaktuar dikujt?

O njerëz!

Dhe tani e tutje, pasi që të më vrisni mua, ju do të qëndroni në këtë botë, aq shkurt, sa ky kalorës të arrijë në mejdan. Babai im ma përcolli këtë fjalë nga gjyshi im, i Dërguari i Allahut. Dijeni se shpresa e Husejnit është vetëm tek Allahu i Plotfuqishëm. Sepse nuk ka njeri jeta e të cilit nuk është në fuqinë e Allahut.”

Hazreti Huseini me këtë fjalim të tij ia bën me dije tërë njerëzimit se nëse dynjaja i verbon sytë atëherë njeriu është në gjendje të shkel mbi gjërat edhe më të shenjta që i ka. Kjo është kështu edhe sot dhe do të jetë deri në ditën e gjykimit. Prandaj, ashtu si thotë edhe Hazreti Huseini, duhet ta kontrollojmë veten (nefsin) tonë dhe vlerat e vërteta njerëzore të jenë në platformën më të lartë të jetës tonë.

Shehidllëku i Hazreti Huseinit është mburojë e pastërtisë së vlerave të dijes, fetarisë dhe etikës islame, pikërisht për këtë duhet ta kujtojmë dhe të solidarizohemi me të, familjen e tij dhe idenë për çka u sakrifikua…

/shenja

Related posts

Dimovski tejkalon afatet për ambasador

Gazetamax.mk

Alarme për bomba në 18 shkolla fillore dhe të mesme

Gazetamax.mk

Forumi shqiptar: Malësia ka qenë gjithmonë gjeneratore e ndryshimeve, Lista “Pravim putem” do të pësojë disfatë më 5 mars

Gazetamax.mk