GazetaMax
Ballina Lajme

Sheshi Iliria në Tetovë: Premtime të parealizuara parazgjedhore të kamufluara me disa karrige dhe baraka

Sheshi “Iliria” në Tetovë vazhdon të mbetet pa ndonjë rikonstruim dhe investim. Video-ilustrimet parazgjedhore për sheshin e Tetovës të kryetarit aktual duken larg realitetit tetovar, ndërsa në terren janë vendosur vetëm disa pajisje urbane sa për sy e faqe. Edhe pse kjo temë viteve të fundit u riaktualizua disa herë, sheshi deri më tani nuk ka marrë pamjet e premtime parazgjedhore, shkruan Portalb.mk.

Para zgjedhjeve lokale të fundit, më 15 tetor 202, kryetari aktual i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami prezantoi projektin ideor për sheshin e qytetit ku në të përfshiheshin nënkalime, parkingje nëntokësore, gjelbërim, drunj, rrugë për këmbësorë, pajisje urbane dhe të tjera.

Megjithatë, pak muaj para përfundimit të mandatit të tij dhe zgjedhjeve të ardhshme lokale, kjo nuk është realizuar në terren ende.

Tema për sheshin e qytetit u riaktualizua në mars 2023, pas një takimi me Baram Vardar nga Turqia. Megjithatë, edhe pas këtij takimi në terren nuk pati asgjë konkrete.

“Në takim u shqyrtuan disa variante të projektit ideor dhe dizajnimit të pjesës qendrore të qytetit, me theks të veçantë të sheshit “Iliria”. Po ashtu u diskutua edhe gjetja e një modusi më të përshtatshëm për komunikacionin në atë pjesë të qytetit”, informoi në mars 2023 Komuna e Tetovës.

Në të njëjtën kohë, nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk patën thënë se janë duke punuar në një projekt për rekonstruimin dhe ridizajnimin e pjesës qendrore të qytetit, ku përfshihet edhe Sheshi Iliria. Madje se e njëjta të t’i prezantohej publikut, por kjo nuk ndodhi.

Nga nisma qytetare Më Mirë për Tetovën (MMPT) thonë se si zakonisht premtimet parazgjedhore janë vetëm në letër, megjithatë këto të kryetarit aktual Bilall Kasami u vizualizuan edhe me 3D që rikujtojnë se deri ku shkon lufta vetëm për vota dhe assesi për ndryshim.

“Një udhëheqësi komunale që mendon se Tetovës i mjafton vetëm asfalt dhe asgjë tjetër është dëshpërim për qytetarët. Aq drunj sa duken në 3D prezantim, u prenë shumëfish më tepër nga kjo udhëheqësi që as një metër katror gjelbërim nuk ia shtoi Tetovës”, thanë nga Më Mirë për Tetovën.

Këshilltari komunal nga BDI, Liridon Disha thotë se tendencat e kryetarit të komunës (atëherë kandidat) që përmes gënjeshtrave të arrijë pushtetin komunal, dëshmohen sot pas katër viteve.

“Projekte ideore si ky ka bërë shumë sepse nijeti i tij ka qenë t’i mashtrojë qytetarët e jo tu ofrojë zgjidhje problemesh e investime kapitale. Çdo premtim i tiji është një gënjeshtër në vete”, tha Disha.

I pyetur për këtë premtim të mosrealizuar, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami tha se këto ditë është në debat publik ndryshimi i plani urbanistik për katër blloqet urbane, dhe se pa e depërtuar pjesën e Bulevardit “Ilinden” nga sheshi deri te Stadiumi i Qytetit nuk ka kuptim për investohet në sheshin e qytetit sepse edhe ashtu përfundon në rrugë qorre.

“Paralel me depërtimin e bulevardit Ilinden” deri te Kazerma me çka përmbyllet ky aks i rëndësishëm, po punohet edhe në drejtim edhe të përpilimit të projektit për parkingun nëntokësor apo për rregullimin në përgjithësi të hapsirës së sheshit të qytetit”, tha Kasami.

Dje në Komunën e Tetovës u mbajt debat publik rreth studimit të mobilitetit, ku u prezantuan gjetjet e para analiza e kryer nga Instituti për shkencë dhe teknologji ‘’INSI’’, lidhur me vendparkimet e reja, rikategorizimin e rrugëve, rrugët njëkahshe dhe gjithçka tjetër rreth komunikacionit.

Kujtojmë se në vitin 2023 pati edhe një konkurs publik ku studentët e arkitekturës nga dy universitetet e Tetovës punuan dhe prezantuan projekte ideore për vendosje të pajisjeve urbane në shesh. Pas kësaj, në shesh të qytetit janë vendosur disa karrige dhe disa baraka për shitje të produkteve të ndryshme.

Ndryshe, që nga prishja e sheshit të vjetër të qytetit para shumë viteve, në shesh nuk është investuar në pajisje dhe të tjera. I njëjti gjatë festave dhe manifestimeve të ndryshme përdoret për koncerte dhe organizim të ngjarjeve, vendosjen e barakave për shitje të produkteve dhe të tjera.

Related posts

Këshilla për përdorimin e ujit te foshnjat

Gazeta Max

Paraburgim për gjashtë policë nga aksioni në Tabanoc

Gazeta Max

Bekteshi: Nuk do të bëjmë koalicion me asnjë parti politike e cila nuk i pranon ndryshimet kushtetuese

Gazeta Max