Shkëndija e Haraçinës dhe Shkëndija e Tetovës barazojnë në Çair

Ndeshjet e sotme të javës së nëntë të Ligës së Parë të Maqedonisë së Veriut nisën me derbin e zhvilluar në Çair të Shkupit, ku u përballën Shkëndija e Haraçinës, si vendase, dhe Shkëndija e Tetovës, aktualisht lidere e kampionatit.

Ndeshja përfundoi me rezultat 1:1, në kushte tejet të vështira për lojë.

Gjendja e fushës në stadiumin e Çairit, pas reshjeve të mëdha të shiut në kryeqytet, ishte jashtëzakonisht e rëndë, duke e bërë pothuajse të pamundur zhvillimin e një futbolli cilësor.

Megjithatë, të dyja skuadrat dhanë maksimumin, krijuan raste, shënuan nga një gol dhe në fund u detyruan t’i ndajnë pikët.
Pjesa e parë u karakterizua nga një gabim i portierit vendas, Stolevski, i cili reagoi keq në një situatë dhe shkaktoi penallti.
Në minutën e 30-të, Krasniqi u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke i dhënë epërsinë Shkëndijës së Tetovës.

Në pjesën e dytë, Shkëndija e Haraçinës u përpoq të rikthehej në lojë dhe ia doli të barazonte.

Sulmuesi me përvojë, Marko Simonovski, reagoi shkëlqyeshëm ndaj një topi brenda zonës së vogël të Shkëndijës së Tetovës dhe e dërgoi topin në rrjetën e portierit Gaye.

Pas golit të barazimit, Shkëndija e Tetovës mori iniciativën dhe kërkoi golin e fitores, por pa arritur ta ndryshonte rezultatin.

Kështu, derbi historik mes dy skuadrave me të njëjtin emër përfundoi me rezultat 1:1, në një ndeshje ku kushtet e vështira të fushës ndikuan dukshëm në lojë.

Shkëndija e Tetovës kryeson me 20 pikë, ndërsa Shkëndija e Haraçinës radhitet në pozitën e 5-të me 14 pas javës së nëntë në Kampionatin e Maqedonisë së Veriut.