Shtabi i krizës në Tetovë me vendim për masa shtesë për mbrojtje nga zjarret

Tetovë, 17 qershor – Në kuadër të takimit të katërt të Shtabit të krizës së komunës së Tetovës është vendosur të ndërmerren masa plotësuese për mbrojtje nga zjarret, informojnë nga Komuna e Tetovës. Kjo masë do të zbatohet me kërkesë të Sektorit qytetar.

Theks i veçantë i kësaj mbledhjeje, siç theksojnë nga komuna e Tetovës ka qenë raportimi për aktivitetet e ndërmarra rreth evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë që goditën ditë më parë qytetin e Tetovës.

Nga komisioni komunal u raportua se janë evidentuar të gjitha kërkesat e adresuara tek komuna e Tetovës, janë proceduar dhe identifikuar në terren, si dhe janë dërguar shkresa zyrtare deri tek organet kompetente shtetërore për të bërë vlerësimin dhe kompensimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet që goditën qytetin e Tetovës ditë më parë.

NPK-ja, së bashku me NJTKZ njoftuan se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për pastrimin dhe dezinfektimin e rrugët, sipas planit të veprimit.

Gjithashtu nga NPK, në bashkëpunim me NJTKZ në mënyrë permanente është bërë pastrimi në të gjithë pikat kritike të kanalizimit, si dhe përpilimin e një plani për zgjidhjen e problemeve të kanalizimit në katër pika kritike (tek rruga 171, tek kazerma dhe dy pika në hyrje të qytetit).

“U konstatua se kërkesat e Shtabit të Krizës në Komunën e Tetovës, janë dërguar deri tek qeveria e Maqedonisë së Veriut, si dhe deri tek Byroja për Ekspertizë Gjyqësore, por nga ana e tyre nuk është marrë ende asnjë hap konkret. Të dërgohet shkresë urgjente deri tek Qeveria e RMV-së që të veprojë në bazë të kërkesave tona dhe konform ligjit. Të dërgohet kërkesë deri tek organet kompetente për të bërë inspektimin permanent të të gjitha ndërmarrjeve publike dhe private, si dhe të objekteve kolektive (banesave kolektive), që kanë të bëjnë me dispozitat ligjore për siguri dhe shëndet në punë. Të bëhet regjistrimi dhe kontrollimi i të gjitha hidrantëve ekzistuese në qytetin e Tetovës, si dhe në të gjitha projektet e ardhshme infrastrukturore të parashihen vendosja e tyre”, thuhet në konkluzionet e dala nga mbledhja e Shtabit të krizës së komunës së Tetovës.

Të fundit në përqindje