Shkup, 5 maj – Këtë të diel në Tetovë në program është ndeshja e futbollit mes Shkëndisë dhe FC Shkupit, ndërsa grupi i tifozëve shkupjan “Shfercerat” kërkojnë që tu lejohet të udhëtojnë në mënyrë të organizuar në Tetovë.
“E kemi një ndeshje Shkëndija-Shkupi. Ju kisha lutë klubit, ekipit të Shkëndisë që të na lejojnë të shkojmë atje në Tetovë, bashkë edhe ballistët le të jenë aty”, tha Jusuf Ramadani – tifo grupi “Shfercerat”.
“Ballistët” e Shkëndisë nuk janë kundër të pranisë së tifozëve, ata shprehen të dëshpëruar se si autoritetet kompetente nuk mund të garantojnë sigurinë e një ndeshje me 15 mijë tifozë.
“Nuk është normale të mos garantohet dhe sigurohet një ndeshje futbolli, mesatarisht me prezencë prej 15.000 tifozësh! Ju bëjmë apel: Federatës së Futbollit, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Kryesisë së Klubit tonë, që të lejojnë tifozë mysafirë edhe në Tetovë dhe gjithashtu edhe ne të jemi prezent me skuadrën tonë kuqezi në çdo stadium mysafir”, thonë nga tifo grupi Ballistët.
TV21 pyeti në FFM se ku qëndron problemi për ndalesën e pranisë së tifozëve mysafirë në tribuna. Nga atje me përgjigje:
“FFM çdo herë është në qëndrimin se në ndeshjet e futbollit tifozët duhet të jenë të pranishëm, sepse futbolli luhet për tifozë, por për shkaqe sigurie kjo gjë ndonjëherë nuk është e mundur. E për këtë kompetent janë MPB dhe organizatori i ndeshjes, në këtë rast KF Shkëndija”
Pyetëm edhe në MPB, por edhe nga atje thonë se nuk janë kompetent.
“MPB, gjegjësisht SPB-Tetovë është në gjendje të siguron çdo lloj ndeshje që do të zhvillohet në rajonin e Tetovës, por kur bëhet fjalë për ndeshjen konkrete dhe paralajmërimin e ardhjes së tifozëve mysafirë në Tetovë, kompetent janë FFM dhe KF Shkëndija, si nikoqir i ndeshjes”, thonë nga MPB.
U munduam të kontaktojmë edhe KF Shkëndija, por deri në këto momente nuk kemi marrë përgjigje.
Derisa topi hidhet te njëri tjetri se kush duhet të vendos për praninë e tifozëve në tribuna, ndeshja Shkëndija-Shkupi po afron.
Ndryshe FC Shkupi tashmë është shpall kampion, ndërsa KF Shkëndija po lufton për të siguruar një pozicion që çon në Evropë. Të dy klubet për momentin kanë grupet e tifozëve më aktive në vend.