Në Kosovën tonë shtet i pavarur dhe sovran, frika më e madhe është se mund të bëhesh për doktor e shëndetësia, siç thonë shumëkush, është në kolaps. Edhe nëse ke fatin të të mos dhemb askund, si të hysh në barnatore për të blerë çka do qoftë, ti për farmacistët a farmacistet je pacient! Kështu, pra, të quajnë farmacistët edhe nëse aty je për të blerë kondom për seks të sigurt!
Hapa derën e një barnatore në Prishtinë. Farmacistja, e cila po fliste në telefon, e ndërpreu muhabetin me bashkëbiseduesin. “Të thërras më vonë, sepse e kam një pacient!”, i thotë teksa e ndërprenë lidhjen telefonike. “Kështu i quani ju klientët tuaj?!”, nuk u durova pa i thënë paksa me të qeshur. “Kështu u thonë të gjithëve që vijnë në barnatore!”, ma ktheu ajo. “Unë nuk jam e sëmurë, por dua pika për hundë për vajzën time se është pak e ftohur”, ia ktheva. Dhe, pasi i mora pikat për hundë dhe ia bëra pagesën, dola nga barnatorja, por mendja më mbeti te fjala pacient…
A DUHET T’I BLEJMË KONDOMËT NË BUTIK?
Për të sqaruar më mirë këtë situatë, të rikujtojmë se në barnatore mbajnë edhe pampersa, ushqim për foshnje, kozmetikë, kondom për seks të sigurt etj. Sido që të jetë, sapo të hapësh derën e barnatores, automatikisht për farmacistët ti je pacient! Je pacient edhe nëse blen ngjyrë për flokë, buzëkuq etj. Je pacient edhe nëse blen ushqim për foshnje të firmës së njohur HIP, apo edhe
një shishe për të ushqyer foshnjën! Madje, je pacient edhe nëse blen kondom për seks të sigurt! Pra, më e keqja e tërë kësaj është se edhe nëse njeriu më i shëndosh hyn në barnatore, farmacistët e quajnë pacient! Thënë shkurt, sipas farmacistëve ne jemi “shoqëri e sëmurë”, një shoqëri që nuk të të pyet kush të pëlqen a s’të pëlqen termi pacient edhe nëse je shumë i lumtur e nuk të dhemb askund! Shterohen pyetjet: Kush ishte ai budalla që e shpiku këtë term për klientët? Si ka mundësi që njerëz të shkolluar, siç janë farmacistët, e përdorin këtë term vend e pa vend?
MOS U BËFSH PACIENT!
Farmacistëve as që u shkon në mend se sa keq është t’i godasësh njerëzit me fjalën pacient, nëse ata, vërtet, nuk janë të tillë, sepse në Kosovën tonë shtet e keqja më e madhe është nëse bëhesh për doktor, kur dihet se në ç’kushte punon shëndetësia jonë, kur xhepat janë shprazur moti nga varfëria që e ka kapluar një pjesë të madhe të popullatës sonë. E, për mjekim privat mos të bëftë Zoti se ta marrin edhe shpirtin për para pate a s’pate, pate nevojë a s’pate nevojë, vetëm e vetëm që t’i vizitosh e paguash më shpesh! Thënë shkurt, sidoqoftë, i rrjepur je!
Prandaj, fjalët që i përdorim më së shpejti në Kosovën tonë shtet janë “Ishalla jemi shëndoshë!”.
Diturie Haxha

