Shqiptarët e Kosovës shënuan nga një gol për secilën skuadër.
Përballja ndërmjet Luzernit dhe Sionit ka përfunduar me rezultat 1:1, në kuadër të javës së 12-të të kampionatit zviceran.
Zëvendësuesi Rilind Nivokazi shënoi për Sionin, ndërsa Kreshnik Hajrizi, në një moment të pafat, realizoi autogol për Luzernin.
Kreshnik Hajrizi dhe Donat Rrudhani u paraqitën si titullarë te Sioni, por të dy u zëvendësuan në minutën e 72-të.
Në të njëjtën minutë, në lojë u inkuadrua Rilind Nivokazi, i cili më vonë do të bëhej protagonist i barazimit.
Në minutën e 80-të, edhe Benjamin Kololli u aktivizua për skuadrën e Sionit.
Sioni pati mundësi ideale për të kaluar në epërsi në minutën e 56-të, por portieri i Luzernit, Letica, priti penalltinë e Botellit.
Në minutën e 65-të, Luzerni kaloi në epërsi pas një autogoli të Kreshnik Hajrizit. Di Gusto goditi topin nga distanca, ndonëse duket se synonte të krosonte. Hajrizi u hodh me kokë drejt topit dhe e devijoi atë në mënyrë të pafat, duke e dërguar në rrjetën e portierit Racioppi.
Megjithatë, Sioni nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë në minutën e 79-të. Rilind Nivokazi e dërgoi topin në rrjetë pas një pasimi të saktë nga Lukembila, i cili depërtoi bukur dhe asistoi në qendër.
Pas 12 javësh kampionat, Sioni renditet në vendin e tretë me 23 pikë, ndërsa Luzerni zë vendin e tetë me 13 pikë.
Burimi: botasot.info
