Kryeqyteti i Maqedonisë së Veriut edhe këtë vit bëhet epiqendra e muzikës klasike me edicionin e 8-të të Skupi KamerFest, festivalit të vetëm të muzikës kamertale në vend, që nis më 9 shtator.
Festivali hapet me performancën e Duo Immersio Vienna nga Austria, përbërë nga violinistja Vira Zhuk dhe pianistja Mariam Vardzelashvili, natë kjo e mbështetur nga Ambasada e Austrisë në Shkup. Ky koncert shënon fillimin e një serie ngjarjesh ku publiku do të ketë rastin të dëgjojë emra të shquar të muzikës kamertale nga vende të ndryshme të Evropës.
Në mesin e tyre spikasin klarinetisti italian Raffaelo Bertolini, violonçelistja Dorina Laro dhe pianistja Ina Petrollari Laço nga Shqipëria, si dhe pianisti spanjoll Alfredo Ozaguez Montero. Për herë të parë në Shkup, këta artistë do të sjellin vepra premierë, përfshirë edhe krijime të reja që do interpretohen nga Duo Bertollini.
Skupi KamerFest është pjesë e European Festivals Association (EFA) dhe renditet krah festivaleve më të njohura në rajon. Ai sjell jo vetëm koncerte të nivelit të lartë artistik, por edhe masterklasa dhe seminare për studentë e të rinj, duke kontribuar në zhvillimin e kulturës muzikore dhe edukimin e brezave të ardhshëm.
Koncerti i hapjes zhvillohet më 9 shtator në Shkup, në sallën e vogël të Filharmonisë nacionale në ora 19:00, kurse hyrja është falas. Organizatorët ftojnë të gjithë adhuruesit e muzikës klasike të bëhen pjesë e këtij udhëtimi artistik që premton emocione, reflektim dhe lidhje të veçanta njerëzore përmes artit.