GazetaMax
Lajme

Sulmohet dhe ndalohet bashkëregjisori i dokumentarit fitues të “Oscarit”, palestinezi Ballal

Kolonët izraelitë kanë rrahur të hënën një nga bashkëregjisorët palestinezë të dokumentarit fitues të “Oscarit”, “No Other Land”. Hamdan Ballal u sulmua në Bregun Perëndimor dhe ai më pas u ndalua nga Ushtria izraelite, kanë njoftuar aktivistë hebraikë, transmeton agjencia “AP”.

Dhjetëra kolonë sulmuan fshatin palestinez Susiya në zonën Masafer Yatta, duke shkatërruar prona, ka thënë grupi aktivist “Qendra Hebraike Jodhunë”.

Ata sulmuan Hamdan Ballalin, një nga bashkëregjisorët e prodhimit të përbashkët palestinezo-izraelit, duke e lënë me kokë të gjakosur, kanë thënë aktivistët. Ndërsa po trajtohej në një ambulancë, ushtarët e ndaluan atë dhe një palestinez të dytë, tha grupi.

Ushtria izraelite tha se po shikon rastin.

“Ne nuk e dimë ku është Hamdani, sepse ai u mor me sy të lidhur”, ka thënë Josh Kimelman, një nga aktivistët që ishte në vendngjarje.

Një grup prej 10-20 kolonësh të maskuar e sulmuan – me gurë dhe shkopinj – atë dhe aktivistët e tjerë hebrenj. Ua thyen xhamat e makinave dhe ua dëmtuan gomat.

“No Other Land”, që fitoi çmimin e dokumentarit më të mirë këtë vit në “Oscar”, tregon luftën e banorëve të Masafer Yattas për ta ndaluar Ushtrinë izraelite që t’i shkatërrojë fshatrat e tyre. Ajo ka dy bashkëregjisorë, Ballallin dhe Basel Adran, të dy banorë të Masafar Yattas dhe dy regjisorë izraelitë, Yuval Abraham dhe Rachel Szor.

Filmi ka fituar një sërë çmimesh ndërkombëtare, duke filluar nga Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin në vitin 2024.

Related posts

Kovaçevski: Nevojitet të përshpejtohet projekti për stacionin filtrues në Shkup

Gazeta Max

Nga sot, Prokuroria fillon punë me sistemin e ri për rritjen e efikasitetit

Gazeta Max

Është duke u bërë gati lista e produkteve që do të kenë tatim 10%

Gazeta Max