​Tahiri: Shtyhet interpelanca e Kurtit për dialogun strategjik me SHBA, kërkon rikthimin e marrëdhënieve

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka bërë të ditur se interpelanca e kërkuar për kryeministrin Albin Kurti, lidhur me dështimin e dialogut strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shtyrë për seancën e radhës të Kuvendit.

Tahiri tha se interpelanca nuk do mbahet këtë të enjten në seancën e Kuvendit, për shkak të mungesës së kryeministrit Kurti në Kosovë, ndërsa theksoi se rikthimi i dialogut strategjik me SHBA-në është jetik për forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës.

Sipas tij, mungesa e këtij dialogu mund të ndikojë negativisht në procesin e integrimit në NATO, njohjet e reja dhe marrëdhëniet me administratën amerikane.

Tahiri tregon se Aleanca ka kërkuar interpelancë nga Kurti për dialogun strategjik me SHBA

“Ne si grup parlamentar ka pasur një interpelancë për kryeministrin Kurti që ndërlidhet me kërkesën tonë për të diskutuar dështimin e dialogut strategjik me SHBA-të, këtë të enjten nuk ishte kryeministri Kurti në Kosovë, është shtyrë për seancën e radhës. Ne e shohim jetike forcimin e subjektivitetit të Kosovës, forcimit të institucioneve tona edhe në rrafshin e brendshëm por në veçanti në rrafshin e brendshëm, ndërtimin dhe rikthimin e tabelës së dialogut strategjik Kosovë- Amerikë. Nëse nuk do të ndodhë procesi integrues, e në veçanti ai në NATO, procesi i njohjeve të reja, i angazhimit të administratës Trump dhe marrëdhënieve realisht do të jetë bukur problem”, tha Tahiri.

Ndërkohë, Tahiri kundërshtoi procedurën për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil, duke e cilësuar të gabuar qasjen ndaj kësaj çështjeje.

Tahiri theksoi se administrata shtetërore nuk i përket asnjë partie politike dhe se vendimmarrja për këtë institucion duhet të bazohet në procedura të rregullta, e jo në vlerësime personale. Ai bëri të ditur se ka kërkuar që kjo çështje të largohet nga agjenda e vazhdimit të dy seancave të Kuvendit.

Tahiri kundërshton procedurën për shkarkimin e Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil

“Një çështje tjetër ka të bëjë me kërkesën për shkarkim të Këshillit të Lartë për Mbikëqyrje të Shërbimit Civil, procedura është gabim, qasja, administrata e shtetit nuk është e një partie, nuk duhet të hyjë në funksion vlerësimi personal, por duhet të jetë një procedurë, e cila i nënshtrohet kësaj. Kërkova të largohet nga agjenda e vazhdimit të këtyre dy seancave”, tha Tahiri. 

Burimi: botasot.info