Tragjedi në garat me kuaj në Australi, ndërron jetë kalorësja 22-vjeçare

Kalorësja australiane Izzy Neale ka ndërruar jetë të martën, si pasojë e lëndimeve të rënda të pësuara gjatë një gare me kuaj, të zhvilluar të dielën, më 8 nëntor, në hipodromin Warren, në shtetin australian të Uellsit të Ri Jugor.

Vdekjen e saj e ka konfirmuar familja përmes një komunikate të publikuar nga organizata Racing NSW.

Neale po merrte pjesë në garën Warren Shire Cotton Cup, e gjatë 1600 metra, kur, rreth 400 metra para finishit, u rrëzua nga kali Marnoo.

Si pasojë e rrëzimit, ajo pësoi lëndime të rënda në kokë dhe humbi vetëdijen. Mjekët i dhanë ndihmën e parë në pistë, përpara se të transportohej me helikopter në spitalin e Dubbo-s.

Atje u pranua në gjendje kritike dhe u vendos në aparatura për mbajtjen e jetës. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, ajo ndërroi jetë dy ditë pas aksidentit, e rrethuar nga familjarët dhe miqtë e saj më të afërt.

Burimi: botasot.info