GazetaMax
Lajme

Trumpi kërcënon Kolumbinë: Po udhëhiqet nga një i sëmurë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar të dielën me veprime ushtarake kundër Qeverisë së Kolumbisë, duke u thënë gazetarëve se një operacion i tillë i duket mirë, raporton agjencia “Reuters”.

“Kolumbia është gjithashtu shumë e sëmurë, e drejtuar nga një njeri i sëmurë, të cilit i pëlqen të prodhojë kokainë dhe ta shesë në Shtetet e Bashkuara. Dhe nuk do ta bëjë këtë për shumë kohë”, u ka thënë Trump gazetarëve, duke iu referuar presidentit të Kolumbisë, Gustavo Petro.

I pyetur drejtpërdrejt nëse SHBA-ja do të ndërmarrë një operacion ushtarak të ngjashëm me atë në Venezuelë të shtunën kur arrestoi presidentin Nicolas Maduro dhe bashkëshorten e tij Cilia Flores, Trump u përgjigj: “Më duket mirë”.

Maduro dhe Flores do të paraqiten sot para gjykatës në New York, ndërsa po akuzohen për narkoterrorizëm.

E presidenti i Kolumbisë, Petro, në platformën “X” ka shkruar se “SHBA-ja është shteti i parë në botë që ka bombarduar një kryeqendër të Amerikës së Jugut”.

Trumpi ka thënë se SHBA-ja mund t’i kthehet sërish aksionit ushtarak në Venezuelë në rast se sjellja e Venezuelës nuk është e duhur.

Ai ka thënë se shumë kubanë janë vrarë në sulmin e SHBA-së në Karakas, duke shtuar se një intervenim ushtarak në Kubë nuk është i nevojshëm “pasi ishulli po bie vet”.

“Kuba është e gatshme të bjerë. Kuba nuk ka të hyra. Ka të gjitha të hyrat nga Venezuela, nga nafta venezuelane. Tash s’po merr atë. Kuba është e gatshme të bjerë”, tha Trump.

E më pas paralajmëroi Meksikën, duke thënë se vendi “duhet të marrë masa, sepse po qarkullon droga nëpër Meksikë dhe duhet bërë diçka”.

Ai e përshkroi presidenten e Meksikës, Claudia Sheinbaum, si një “person të mrekullueshëm” dhe tha se ka ofruar të dërgojë trupa amerikane në Meksikë sa herë që ka folur me të.

“Qeveria e Meksikës është e aftë ta adresojë këtë çështje, por për fat të keq kartelet janë shumë të forta në Meksikë”, tha Trump.