GazetaMax
Lajme

Vazhdohet gjendja e krizës në energjetikë

Shkup, 1 tetor – Kuvendi dje e vazhdoi gjendjen e krizës në furnizimin me energji elektrike në të gjithë territorin e shtetit dhe në furnizimin me ngrohje qendrore në rajonin e Qytetit të Shkupit, bashkë me 30 prillin vitin e ardhshëm.

Në vazhdimin e djeshëm të seancës së 86-të kuvendore me 83 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim” ishte votuar vazhdimi i afatit të ekzistimit të gjendjes së krizës në të gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për shkak të mungesës së energjisë për ngrohje dhe gjendjes në tregjet e energjisë elektrike, ndërsa me 86 vota “për”, asnjë “kundër” dhe asnjë “abstenim”, ishte votuar propozim-vendimi për vazhdimin e afatit të ekzistimit të gjendjes së krizës në rajonin e Qytetit të Shkupit, për shkak të mungesës së energjisë së ngrohjes, mundësisë për shfrytëzimin e lëndëve djegëse alternative dhe gjendjes në tregun e energjisë së ngrohjes.

Me këtë vendim mundësohet marrja e masave dhe aktiviteteve, duke përfshirë edhe ndërhyrjen financiare për sigurimin e sasive shtesë të energjisë elektrike. Me miratimin e vendimit, Komisioni për monitorimin e situatave të furnizimit me energji elektrike dhe për monitorimin e situatave me furnizimin me ngrohje qendrore do të monitorojë, analizojë dhe vlerësojë vazhdimisht gjendjen e tregut të energjisë elektrike dhe ngrohjes dhe do të propozojë masa në përputhje me dekretet që rregullojnë kriteret dhe kushtet për shpalljen e gjendjes së krizës.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski para pak kohësh deklaroi se do të përballemi me dimrin më të vështirë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe se me ribalancin e Buxhetit tashmë janë siguruar 76 milionë euro për masa kundër krizës për ruajtjen e likuiditetit në sektorin e energjisë elektrike, për rritjen e çmimeve të energjensave dhe rritjes së çmimeve të energjisë elektrike.

“EMV si kompani shtetërore punon për të siguruar energji elektrike me çmimin më të favorshëm dhe shteti sipas mundësive të tij e subvencionon atë energji elektrike në pjesën më të madhe për të parandaluar goditjen e çmimeve”, theksoi Kovaçevski.

Kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski, dje i bëri thirrje Qeverisë të përgjigjet se pse e refuzon planin e tij për përballje me krizën energjetike. Ai potencoi se plani është mundësi që të sigurohet prodhim stabil i energjisë elektrike për amvisëritë dhe për industrinë por, gjithashtu edhe për ngrohjen e objekteve dhe shtëpive që janë shfrytëzues të ngrohjes qendrore në Shkup.

“Pse refuzon të kursejë 300 milionë euro, pse refuzon të ketë një prodhim vendor më të madh të energjisë elektrike, pse refuzon të ketë një BPV më të madhe, pse refuzon të mos ketë rritje të faturave të ngrohjes dhe energjisë elektrike. Qeveria duhet të përgjigjet për këtë, mund të jetë sërish ndonjë tender, ndonjë marrëveshje biznesi, ndonjë marrëveshje private”, tha Mickoski.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dje nga foltorja e Kuvendit i bëri thirrje liderit të VMRO-DPMNE-së, Hristian Mickoski që publikisht t’i thotë kontaktet për furnizim të karburanteve më të lira dhe të thotë se për cilat kompani bëhet fjalë, për çfarë oferta dhe me cilat çmime ose nëse nuk dëshiron ta bëjë këtë, t’i dorëzojë në Ministrinë e Ekonomisë.

Bekteshi tha se është i gatshëm që edhe direkt të bisedojë me Mickoskin, ta kërkojë personalisht. Njëherësh bëri thirrje, nëse Mickocski nuk dëshiron t’i publikojë kontaktet, atëherë, t’i dorëzojë të hënën në Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa Bekteshi pastaj personalisht, siç tha, do t’i publikojë dhe do t’i dërgojë në SHA EMV.

“Unë do ta marrë përgjegjësinë dhe do t’i lajmërohem Mickoskit. Do t’i publikoj kontaktet dhe do t’i dorëzoj në EMV. Konsideroj se i gjithë publiku duhet ta dijë dhe të jetë i informuar. Gjithçka duhet të jetë transparente. Të hënën jam këtu, le të mi dorëzojë Mickoski kontaktet, ndërsa unë publikisht nëse duhet do t’i dërgoj në EMV, të shohim se nga cilat burime vijnë. Është kohë e krizës, ka disa gjëra të cilat nuk mund t’i bëjë shteti, jemi anëtar të NATO-s”, tha Bekteshi.

Sipas tij, askush nuk ka thënë se diçka nuk pranohet.

Bekteshi tha edhe se i vjen mirë që VMRO-DPMNE do ta mbështesë propozim-vendimin.

Drejtori i përgjithshëm i SH.A. EMV, Vasko Kovaçevski, dje porositi se çdo ofertë që synon tejkalimin e krizës aktuale është e mirëseardhur dhe për këtë, siç tha, të gjitha ofertat nga kompanitë që me rekomandimin e Hristijan Mickoski do të arrijnë në EMV në formë zyrtare, në përputhje me Ligjin për furnizime publike të energjisë, menjëherë do të shqyrtohet nga Komisioni për furnizime publike të kompanisë.

Related posts

Bullgaria tërheq ambasadorin e saj nga Shkupi

Gazetamax.mk

Zbulohet gënjeshtra e Mickoskit! Në vitin 2001 ai ishte në Itali

Gazetamax.mk

Ndërpritet transporti hekurudhor mes Bjellorusisë dhe Ukrainës

Gazetamax.mk