GazetaMax
Lajme

Vendoset dialogu i parë strategjik mes Maqedonisë së Veriut dhe Francës në mbrojtje

Shkup, 23 nëntor – Bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës, dy vende aleate në Aleancën e NATO-s po merr një intensitet të ri, veçanërisht pas harmonizimit të Marrëveshjes së re për bashkëpunim e cila së fundmi u nënshkrua në Paris nga ministrja Sllavjanka Petrovska dhe kolegu i saj francez, ministri Sebastian Lekornu.

Si vazhdimësi në bashkëpunim të vendosur, sot në Ministrinë e Mbrojtjes filloi dialogu i parë strategjik mbrojtës ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës e cila u realizua në takimin midis delegacionit nga Ministria e Mbrojtjes së Francës me një ekip të Ministrisë së Mbrojtjes së Maqedonisë së Veriut.

Qëllimi i dialogut strategjik, siç theksohet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes është forcimi i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje me trajnime të përbashkëta, misione, edukim dhe mbështetje reciproke në përmbushjen e qëllimeve të NATO-s.

Delegacioni francez i kryesuar nga zëvendësadmirali Kristof Lukas, zëvendës drejtor i përgjithshëm për Marrëdhënie ndërkombëtare dhe strategji në Ministrinë e Mbrojtjes së Francës, ka pasur takim me ministren e Mbrojtjes Petrovska ku u shpreh kënaqësia për vendosjen e dialogut strategjik në mbrojtje ndërmjet dy vendeve, si dëshmi më e mirë e angazhimit të ndërsjellë për zbatim efektiv të bashkëpunimit që të zbatohet në praktikë.

“Ky është fillimi i një periudhe të re të bashkëpunimit në mbrojtje midis Maqedonisë së Veriut dhe Francës. Franca është aleati ynë i rëndësishëm që mbështeti anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO dhe ofron mbështetjen e saj për integrimin evropian të vendit. Maqedonia e Veriut si anëtare e NATO-s sot kontribuon për paqen dhe sigurinë e Ballkanit. Po fillojmë një dialog strategjik që do të thellojë bashkëpunimin në mbrojtje me aleatin tonë Francën me të cilën ndajmë të njëjtat vlera”, tha ministrja Petrovska.

Zëvendësadmirali Lukas shprehu kënaqësinë e tij për fillimin e suksesshëm të dialogut strategjik dhe theksoi njohjen e Maqedonisë së Veriut si aleate e NATO-s që jep kontribut aktiv për paqen dhe sigurinë.

Në takimin ku mori pjesë edhe ambasadori francez në vend, Siril Bomgartner është theksuar se Aleanca është e bashkuar në dënimin e invazionit rus ndaj Ukrainës dhe përcaktimin e NATO-s për të projektuar stabilitet, si dhe duke forcuar njëkohësisht sigurinë kolektive.

“Furnizimi i sistemit të integruar për mbrojtje kundër ajrore për të cilën u nënshkrua marrëveshje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës është edhe një tjetër sinjal i fuqishëm se të dy vendet bashkëpunojnë në nivelin më të lartë dhe se Armata e Republikës së Maqedonisë së Veriut po modernizohet intensivisht me pajisje moderne dhe më të sofistikuara”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Mbrojtjes.

Në kontekst të Bashkimit Evropian, ministrja Petrovska porositi se Maqedonia e Veriut është plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme të sigurisë dhe atë në mbrojtje të Unionit dhe se tani nevojitet një proces i shpejtë dhe efikas i eurointegrimit për vendin dhe rajonin.

Nga Ministria e Mbrojtjes theksojnë se bashkëpunimi bilateral në mbrojtje ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Francës karakterizohet me takime të nivelit më të lartë, si dhe bashkëpunim në fushën e gjuhës, konsultimeve strategjike në mbrojtje, si dhe edukimit ushtarak.

Related posts

Gjashtë persona nën hetim për trafikim me njerëz

Gazeta Max

DASH mbështet çdo nismë për fuqizimin ekonomik të Ballkanit

Gazeta Max

Shaqiri: Vajzat dhe gratë në shkencë kanë rol të pazëvendësueshëm, reforma në arsim zvogëlon hendekun gjinor

Gazeta Max