GazetaMax
Lajme

Venezuela do t’i mbyllë ambasadat në Norvegji e Australi, do t’i hapë në Zimbabve e Burkina-Faso

Qeveria e Venezuelës tha të hënën se do t’i mbyllë ambasadat e saj në Norvegji dhe Australi dhe do të hapë ambasada të reja në Zimbabve dhe Burkina-Faso si pjesë e ristrukturimit të shërbimit të jashtëm, pas disa javëve me tensione në rritje me Shtetet e Bashkuara.

Mbyllja e ambasadave në shtetin e Evropës Veriore dhe në shtetin e largët është pjesë e “ricaktimit strategjik të burimeve”, thuhet në një deklaratë të qeverisë së presidentit Nicolas Maduro, ku shtohet se shërbimet konsullore për venezuelasit në Norvegji dhe Australi do të ofrohen nga misionet diplomatike dhe se hollësitë do të bëhen të ditura ditëve në vijim, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

Karakasi tha se do të hapë ambasada të reja në “dy vende simotra, aleate strategjike në luftën anti-kolonialiste dhe në rezistencën kundër presioneve hegjemonike”.

Më tej thuhet se ambasadat e reja do të shërbejnë për të nisur projekte të përbashkëta që do t’i përfshijnë bujqësinë, energjinë, arsimin, minierat dhe interesa të tjera të përbashkëta.

Njoftimi vjen vetëm disa ditë pasi Komiteti i Paqes në Oslo njoftoi se udhëheqësja e opozitës së Venezuelës, Maria Corina Machado, e kishte fituar Çmimin Nobel për Paqe për luftën kundër diktaturës në vendin e saj.