Sonte, LSDM dhe koalicioni nën moton “Luftojmë për shtëpinë tonë”, e prezantuan programin nga Probishtipi, ku lideri i LSDM-së, Venko Filipçe, theksoi se nuk duhet lejuar që Maqedonia të shndërrohet në pronë private.
“Prej këtu, nga Probishtipi, dërgojmë një mesazh të qartë – ta mbrojmë shtëpinë tonë të përbashkët. Ta mbrojmë Maqedoninë si shtëpi për të gjithë, e jo si pronë private e disa individëve të pushtetit. Maqedonia është shtëpia jonë e përbashkët – një shtëpi ku çdo qytetar është i barabartë, ku ka vend për të gjithë, e jo vetëm për të privilegjuarit rreth pushtetit. Të ndërtojmë një shoqëri ku të rinjtë do të qëndrojnë, e jo të largohen. Të krijojmë një Maqedoni ku puna e ndershme do të vlerësohet, e jo librezat partiake”, tha Filipçe në Probishtip.
Ai theksoi se zgjedhjet lokale nuk janë vetëm një zgjedhje politike, por një betejë për drejtësi, dinjitet dhe për të ardhmen e gjeneratave që vijnë.
“LSDM gjithmonë ka qenë më shumë se parti, ka qenë një lëvizje për liri, për drejtësi, për barazi. Rrënjët tona janë në ASNOM, në gjeneratat që e ndërtuan vlerën themelore që shteti të jetë shtëpi për secilin njeri. Sonte, këtë vlerë e vendosim në vend të parë. Sepse pa ju, pa bërthamën tonë, pa anëtarësinë tonë, nuk ka LSDM. Pa ju, nuk ka të ardhme për drejtësi, barazi dhe kujdes”, tha ai.
Filipçe gjithashtu theksoi se ka ardhur koha që të kthehet shpresa dhe të dëshmohet se LSDM di ta forcojë shtetin në çdo lagje e në çdo ndërtesë.
“Nuk premtoj një rrugë të lehtë. Premtoj një betejë të ndershme, të qëndrueshme, me kokën lart. Ne jemi trashëgimtarë të idesë për një Maqedoni të lirë, të drejtë dhe solidare. Është koha të bashkohemi dhe të ndërtojmë fuqinë që do ta ndalë padrejtësinë dhe do ta kthejë shtetin në duart e popullit”, u shpreh Filipçe.