Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, ka komentuar zërat që e lidhin klubin londinez me një transferim të mundshëm të yllit të Real Madridit, Vinicius Jr.
Sulmuesi brazilian ka hyrë në vitin e fundit të kontratës me Real Madridin dhe mungesa e progresit në bisedimet për rinovim ka shtuar spekulimet për një largim të mundshëm këtë verë.
Arsenali është përmendur si një nga klubet e interesuara për shërbimet e Viniciusit, por Arteta nuk dha një përgjigje konkrete për këtë çështje, duke theksuar se fokusi i tij është përforcimi i skuadrës para fillimit të sezonit të ri.
“Ne jemi shumë aktivë dhe po përpiqemi ta përmirësojmë dhe zhvillojmë ekipin. Është e qartë se do të ketë lëvizje në javët e ardhshme, sepse duam të bëhemi më të mirë”, u shpreh Arteta.
Trajneri spanjoll shtoi se Arsenali nuk do të qëndrojë pasiv në tregun e transferimeve dhe se klubi ka ambicie të mëdha për të luftuar në nivelet më të larta.
“Nuk do të ulemi duarkryq. Diferencat janë shumë të vogla dhe për të përmirësuar nivelin duhet të rrisim konkurrencën brenda skuadrës dhe të identifikojmë ato që na mungojnë”, shtoi ai.
Nëse Vinicius nuk arrin marrëveshje për një kontratë të re, ai do të ketë mundësi të negociojë me klube të tjera nga janari i vitit të ardhshëm. Raportimet sugjerojnë se transferimi i tij mund të kushtojë rreth 120 milionë funte.
Arsenali tashmë ka afruar Christos Tzolis këtë verë si zëvendësues të Leandro Trossard dhe vazhdon interesimin për mesfushorin e Newcastle United, Bruno Guimaraes.
