GazetaMax
LAJME

Vizita nga zyrtarë të lartë evropianë në Ballkan, interes i përbashkët zgjerimi i BE-së

Shkup, 28 prill – Pas vizitës në Sofje, Komisari evropian për zgjerim dhe fqinjësi të mirë Oliver Varheji ka vizituar dje Shkupin, ku ka takuar krerët më të lartë politik. Ku është theksuar nevoja për nisje sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim, sepse përndryshe mund të mbetet një çështje e hapur për një kohë të gjatë. Ndërkaq sot për vizitë në Shkup është Ndihmës sekretarja amerikane e shtetit për çështjet evropiane dhe euroaziatike, Karen Donfried, shkruan Zhurnal.

Varheji dje takoi kryeministrin Dimitar Kovaçevski në Qeveri. Në takimin që zgjati mbi 1 orë e gjysmë kanë qenë prezent edhe zv/kryeministri për Çështje Evropiane Bojan Mariçiq dhe Ministri i Jashtëm Bujar Osmani.

Kabineti i kryeministrit Kovaçevski informoi se me Varhejin është folur për rëndësinë e integrimit të rajonit që është përfitim si për vendet individuale ashtu edhe për Bashkimin Evropian. Është theksuar nevoja për nisje sa më të shpejtë të bisedimeve për antarësim, sepse përndryshe mund të mbetet një çështje e hapur për një kohë të gjatë.

Kryeministri Kovaçevski ka deklaruar se mbetet i përkushtuar ndaj parimeve për respektimin e vlerave evropiane dhe dialogut me Bullgarinë të bazuar në respekt dhe dinjitet, për çka janë pajtuar me kryeministrin bullgar Kiril Petkov në fillimin e dialogut për zgjidhjen e kontestit.

“Vendi ynë ka përmbushur detyrimet e tij dhe vazhdon të veprojë plotësisht në përputhje me politikat e Bashkimit Evropian, me çka edhe një herë dëshmojmë se jemi një partner i denjë i vendeve evropiane dhe e meritojmë përfundimisht mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare me BE-në” – citohet kryeministri Kovaçevski nga kabineti i tij.

Ndërkohë Ministri i Jashtëm Bujar Osmani pas takimit ka njoftuar se me komisarin Varheji diskutuan pasojat e vonesës së integrimit të vendeve nga Ballkani Perëndimor.

“Është koha që Bashkimi Evropian ta zgjatë dorën për shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe të demonstrojë qartë se ardhmëria e rajonit është evropiane. Rajoni është gjithnjë e më i lodhur nga pritja, me çka po dëmtohet kredibiliteti i BE-së”, tha Bujar Osmani.

Varheji pasdite ka takuar edhe kryeparlamentarin Talat Xhaferi dhe krerët e partive politike. Vizita e tij në Shkup dhe Sofje vjen në tentim për të lehtësuar dialogun bilateral mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në prag të Samitit të qershorit. Kjo çështje bilaterale po mbanë peng hapjen e bisedimeve me BE-në për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

Gjatë vizitës së sotshme, Karen Donfried do të realizojë takim me Presidentin, Stevo Pendarovski, Kryeministrin, Dimitar Kovaçevski, me Ministrin e Punëve të Jashtme, Bujar Osmani dhe me Ministren e Mbrojtjes, Sllavjanka Petrovska.

Vizita e saj është në kuadër të një turi në Ballkanin Perëndimor. Siç njoftoi ditë më parë Departamenti i Shtetit, vizita e saj po zhvillohet në periudhën prej 25 deri më 29 prill, kur po zhvillon vizita në Shqipëri, Bosnjë dhe Hercegovinën, Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi.

“Më 28 prill në Maqedoninë e Veriut, ajo do të takohet me liderët e qeverisë për të sinjalizuar mbështetjen tonë të fortë për bisedimet e pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe për t’i falënderuar ata për ndihmën e tyre të vazhdueshme për Ukrainën. Ajo do të inkurajojë shtetin më të ri anëtar të NATO-s që të vazhdojë të punojë ngushtë së bashku në një sërë çështjesh rajonale, të sigurisë dhe të mbrojtjes për të promovuar demokracinë dhe bashkëpunimin rajonal,” njoftoi Departamenti i Shtetit.

Nga ana tjetër, ish-përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federika Mogerini, është shprehur se është në interes të Bashkimit Evropian që menjëherë të fillojnë negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pas kësaj, procesi do të jetë i gjatë dhe do të jetë vetëm fillimi.

Gjithashtu edhe Sekretari shtetëror i SHBA-së Antony Blinken dhe ministri i Punëve të Jashtme të Francës Jean-Yves Le Drian në një bisedë kanë treguar se japin mbështetje të përforcuar për integrimin e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në Bashkimin Evropian, kumtuan nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Presioni i jashtëm ndaj Bullgarisë lidhur me Maqedoninë e Veriut është legjitim pasi Bullgaria e ndërpren projektin evropian, ndërsa Komisoni evropian dha sinjal të qartë se dëshiron që vendi të jetë faktor shumë serioz në Ballkan, tha raportuesi për Maqedoninë e Veriut nga Parlamenti Evropian dhe eurodeputeti Ilhan Qyçuk gjatë konferencës së nëntë vjetore “Ballkani në shekullin e 21-të – pikëpamja bullgare” me temë “Marrëdhëniet mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut – Si prej tani e tutje”.

Këto takime në Shkup dhe Sofje të zyrtarëve të lartë, si dhe deklarata të ngjashme të gjitha për një qëllim insistimin ndaj palës bullgare për heqje të vetos për Maqedoninë e Veriut dhe hapje të rrugës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, të Shqipërisë dhe RMV-së.

Kujtojmë se, pengesa më e madhe për mos marrjen e datës për fillim të negociatave me BE-në për Maqedoninë e Veriut është shteti Bullgar.

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria tensionuan raportet për shkak të kontesteve historike. Sofja zyrtare kërkon që Shkupi t’i pranojë kërkesat Bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz Tito.

Ky kontest ka bllokuar procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Edhe në vitin 2020, njëjtë vendi fqinj, i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, një herë në këshillin e ministrave të Jashtëm të BE-së si dhe në Këshillin për Punë të Përgjithshme të BE-së, duke penguar në këtë mënyrë miratimin e kornizës negociuese për fillimin e negociatave të vendit me BE-në. /Zhurnal.mk

Related posts

Osmani – Escobar: Arritja e progresit në procesit eurointegruese është investimi më i sigurt për stabilitetitin në vend dhe rajon

e-max

Raporti i TI: Nuk ka interes kundër korrupsionit në urbanizëm dhe ndërtimtari

e-max

Lorik Cana a po blenë banesë në Shkup?!

e-max