LSDM më në fund ka pranuar atë që qytetarët e kanë kuptuar prej kohësh, Bashkimi për Devalvimin e Institucioneve (BDI) është një barrë e rëndë për çdo partneritet dhe një makineri që prodhon vetëm kriza dhe korrupsion. Pas viteve të servilizmit dhe përpjekjeve për të mbrojtur këtë parti të kalbur, LSDM tani po bën një hap të vonuar drejt distancimit nga BDI, duke kërkuar falje publike për dështimet e saj
BDI nuk është vetëm e izoluar nga qytetarët dhe votuesit, por edhe nga partnerët e saj të deridjeshëm. Kjo parti, që për 22 vite ka shkelur çdo normë të besimit duke krijuar një sistem ku mbizotërojnë krimi dhe korrupsioni, nuk ka më vend në politikë. Nuk mund të ketë bashkëpunim me një parti që e ka shkatërruar çdo institucion ku ka pasur qasje, duke e lënë vendin të ngecur në vendnumëro dhe qytetarët të zhgënjyer. BDI e ka dëshmuar se ku prek as bari nuk mbin!
BDI që për dy dekada ka zhgënjyer qytetarët dhe ka ndërtuar një sistem korrupsioni e abuzimi, sot ka mbetur vetëm me një partner në krim: Nikolla Gruevskin. Me tentativat e tyre të orkestruara për destabilizim gjatë festave të Nëntorit, kjo klikë e harxhuar provoi edhe një herë se është e gatshme të sakrifikojë stabilitetin dhe interesin e qytetarëve vetëm për të mbrojtur mëkatet e veta.
Koha e BDI-së ka mbaruar! Është koha që kjo klikë e shkatërruar dhe e izoluar, e cila ka mbajtur peng zhvillimin dhe ka shkaktuar stagnim, të marrë fund njëherë e përgjithmonë. Ne si Koalicion VLEN jemi të angazhuar për një të ardhme të pastër, të drejtë dhe për një politikë që është në shërbim të qytetarëve, jo të interesave të ngushta të klikave politike.