GazetaMax
Lajme

VMRO: Kushtetuta mund të interpretohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese

Shkup, 13 Shtator – Deputetja e VMRO-DPMNE-së, Dafina Stojanovska në konferencën e saj për media tha se iniciativa për referendum nuk është në kundërshtim me Kushtetutën dhe se organi i vetëm që mund ta interpretojë Kushtetutën është Gjykata Kushtetuese, e jo kryetari i Kuvendit.

Nisma për shpalljen e referendumit e paraqitur nga VMRO-DPMNE-ja nuk është antikushtetuese. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, as nuk ka të drejtë të interpretojë, sepse kjo është kompetencë e Gjykatës Kushtetuese, as nuk ka bazë ta refuzojë, thotë Dafina Stojanovska, anëtare e KE të VMRO-DPMNE-së dhe deputete e Kuvendit. Me nismën, thekson ajo, nuk kërkohet të ndryshohet marrëveshja ndërkombëtare, por t’i japë fund vlefshmërisë së saj.

“Referendumi për shfuqizimin e Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes me Bullgarinë është në përputhje me nenin 24 të Ligjit për referendum dhe nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Neni 24 i këtij ligji lejon referendum edhe për marrëveshjet ndërkombëtare. VMRO-DPMNE ka një pyetje referendumi që nuk e ndryshon përmbajtjen e Marrëveshjes, por e konteston Ligjin për ratifikimin që e shpall të vlefshëm”, tha Stojanovska sonte në konferencën për shtyp.

Në këtë mënyrë, me vendimin për refuzimin e nismës, theksoi ajo, qeveria po bën gjimnastikë juridike për të shmangur popullin dhe për të deformuar qëndrimin e tyre për marrëveshjen.

Sipas saj, kontestohet edhe fakti që kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, siç theksoi, sot në mënyrë të kundërligjshme ia ka caktuar vetes rolin e gjyqtarit kushtetues.

“Interpretimi i kushtetutës është vetëm detyrë e Gjykatës Kushtetuese. Nuk ka asnjë rast tjetër në botë ku kryetari i Kuvendit interpreton kushtetutën sepse kjo është kompetencë e vetme e Gjykatës Kushtetuese”, tha Stojanovska.

Sipas saj, një vendim i këtillë i pushtetit vetëm sa do t’i forcojë më tej marrëdhëniet në Kuvend dhe do t’i rrisë ndarjet. Për të gjitha këto, theksoi, përgjegjëse e vetme do të jetë pushteti.

Lidhur me atë se a do të paraqesin iniciativë të re, Stojanovska thotë se një gjë të tillë do ta bënin nëse do të kishte kundërshtime ligjore dhe teknike, gjë që nuk është kështu.

Me këtë nismë, shtoi Stojanovska, vetëm u  dëshmoi se qeveria ka frikë nga vullneti i qytetarëve.

“Nëse nuk do të kishin frikë, nëse do të dyshonin në aftësinë dhe gatishmërinë e VMRO-DPMNE-së, nuk shoh arsye pse do ta refuzonin këtë pyetje referendumi, e cila absolutisht nuk është në kundërshtim me Ligjin për referendum apo kushtetutën, por thjesht bëhet fjalë për siç kam thënë tashmë, frikë nga vullneti i lirë i shprehur publikisht i qytetarëve të Republikës së Maqedonisë”, theksoi Stojanovska në konferencën për shtyp.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi sot e hodhi poshtë nismën me arsyetimin se nuk është kushtetuese dhe se sipas Kushtetutës një marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të shfuqizohet me ligj.

“Marrëveshjet ndërkombëtare të cilat janë ratifikuar në përputhje me Kushtetutën janë pjesë e rendit të brendshëm kushtetues dhe nuk mund të ndryshohen me ligj, i është përgjigjur kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi propozuesit zyrtar, kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski.

LSDM-ja sonte e mbështeti vendimin e kryetarit të Kuvendit Talat Xhaferi për ta refuzuar nismën e VMRO-DPMNE-së për shpalljen e referendumit, për shkak se, siç thonë nga partia, është jokushtetuese sepse konform Kushtetutës, një marrëveshje ndërkombëtare nuk mund të anulohet me ligj. Marrëveshjen mund ta prish vetëm ai që e ka nënshkruar, në këtë rast Qeveria dhe për këtë duhet të njoftohet pala tjetër. Nëse VMRO-DPMNE fiton zgjedhjet dhe formon Qeveri, atëherë mund ta ndërpresë Marrëveshjen.

VMRO-DPMNE më 9 shtator e dorëzoi iniciativën në Kuvend për mbajtjen e referendumit për shfuqizimin e Marrëveshjes me Bullgarinë. Atëherë koordinatori i grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së Nikolla Micevski informoi se i kanë grumbulluar nënshkrimet e nevojshme për parashtrimin e iniciativës.

Paraprakisht, më 5 shtator Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së e miratoi pyetjen e referendumit “A jeni për shfuqizimin e rëndësisë së Ligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë të publikuar në Gazetën Zyrtare në datën 18.01.2017?”.

Related posts

Kovaçevski – Sholc: Vendimi i qartë për fillimin e negociatave për Maqedoninë e Veriut është me rëndësi strategjike për BE-në

Gazetamax.mk

VMRO së shpejti në protesta, Zhurnal mëson se në rrugë do të jenë edhe kultivuesit e duhanit

Gazetamax.mk

Pesë ambasadorë marin dritë jeshile edhe nga Pendarovski, së shpejti nisin me punë

Gazetamax.mk