Dogana e Maqedonisë së Veriut ka intensifikuar kontrollet kundër tregtisë së paligjshme të duhanit dhe produkteve të tij, duke zbuluar raste të shitjes së produkteve pa pulla akcizore dhe pa pagesën e detyrimeve ndaj shtetit.
Zëvendësdrejtori i Doganës, Mustafa Dauti, bëri të ditur se pas goditjes së një grupi ndërkombëtar të përfshirë në krimin e organizuar dhe importin e paligjshëm të cigareve, kontrollet janë shtuar jo vetëm në importin e produkteve të duhanit, por edhe në tregun e brendshëm.
Gjatë kontrolleve të realizuara nga zyrtarët doganorë dhe ekipet mobile janë sekuestruar 135 kilogramë duhan i prerë dhe 30 litra alkool, ndërsa vlera e akcizës së papaguar për këto produkte arrin në 337.558 denarë.
Për dy persona janë ngritur kallëzime për kundërvajtje, ndërsa ndaj një personi tjetër do të parashtrohet kallëzim penal, pasi shmangia e akcizës në rastin përkatës arrin rreth 257 mijë denarë.
Dauti theksoi rëndësinë e kontrolleve të vazhdueshme për parandalimin e tregtisë së paligjshme, mbrojtjen e interesit publik dhe sigurimin e konkurrencës së drejtë në treg.
Autoritetet doganore paralajmërojnë se aktivitetet kundër tregtisë së paligjshme do të vazhdojnë, me qëllim të zbatimit të ligjit dhe parandalimit të shmangies së detyrimeve ndaj shtetit.

