Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Astrit Iseni, mori pjesë sot në Takimin e 23-të Rajonal të Rrjetit të Ekspertëve të Armëve të Zjarrit të Evropës Juglindore (SEEFEN), i organizuar nga “Clearing House” për Kontrollin e Armëve të Vogla dhe të Lehta të Evropës Juglindore dhe Lindore (SEESAC).
Në fjalën e tij hyrëse, z. Iseni iu referua Udhërrëfyesit për një Zgjidhje të Qëndrueshme për Ballkanin Perëndimor 2025–2030, duke e vlerësuar atë si një dokument strategjik me rëndësi të veçantë për promovimin e sigurisë rajonale dhe harmonizimin me standardet evropiane.
Zëvendësministri theksoi se Ministria e Punëve të Brendshme është duke ndërmarrë masa konkrete për përmbushjen e objektivave të përcaktuara në këtë udhërrëfyes, në veçanti përmes digjitalizimit të proceseve administrative dhe modernizimit të sistemeve të kontrollit dhe mbikëqyrjes. Ai nënvizoi se në periudhën e kaluar është prezantuar dorëzimi elektronik i aplikimeve për leje armësh dhe menaxhimi digjital i procedurave, çka ka kontribuar në rritjen e transparencës, standardizimit dhe efikasitetit institucional.
Një tjetër aspekt i rëndësishëm i theksuar ishte përdorimi i dronëve, si pjesë e mbështetjes teknike të ofruar përmes SEESAC, të cilët tashmë ndihmojnë në kontrollin më efikas të kufijve dhe në ndërhyrje më të shpejta e të sakta në terren, veçanërisht në zbulimin dhe parandalimin e trafikimit të paligjshëm të armëve.
Zëvendësministri Iseni përfundoi fjalën e tij duke ritheksuar përkushtimin e Ministrisë për thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe zbatimin e teknologjive të avancuara në funksion të rritjes së sigurisë dhe stabilitetit në rajon.

