Përzgjedhësi i Francës, Zinedine Zidane, foli për fitoren ndaj Turqisë, kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kombeve dhe mundësinë e një përballjeje të ardhshme me Spanjën.
Francezi pranoi se nuk ishte plotësisht i kënaqur me paraqitjen e skuadrës, sidomos në pjesën e parë.
Franca mposhti Turqinë me rezultat 2:1 në Bordeaux, duke siguruar kualifikimin në çerekfinale të Ligës së Kombeve.
“Duke marrë parasysh gjithçka që kemi bërë, mund të jemi të kënaqur. Por me paraqitjen e kësaj mbrëmjeje nuk jemi të gjithë të kënaqur, sidomos me pjesën e parë.
Duhet të kuptojmë se kemi ende gjëra për të përmirësuar dhe se asgjë nuk është e garantuar. Do të përqendrohemi te objektivi që e arritëm, kualifikimi. Megjithatë, kemi ende shumë punë për të bërë”, deklaroi Zidane.
Zidane zbuloi se në pushimin mes pjesëve u kishte kërkuar lojtarëve të ndryshonin mënyrën e lojës.
“Thjesht u thashë se duhej të luanim ndryshe, se nuk isha i kënaqur dhe se duhej të ndryshonim. Folëm për këtë dhe pas pushimit luajtëm më mirë.
Ka momente kur gjërat bëhen paksa të vështira, por duhet të reagosh dhe ne e bëmë këtë mirë. Pavarësisht paraqitjes mesatare në pjesën e parë, kam lojtarë që japin gjithçka.
Mund të kesh një ditë jo të mirë, pasi ata luajnë çdo tri ditë.
Ka ende gjëra për t’u përmirësuar. Duhet të bëjmë presion si skuadër, sepse nëse nuk veprojmë së bashku, jemi në rrezik”.
I pyetur nëse Franca mund ta sfidojë Spanjën duke luajtur në këtë mënyrë, Zidane u shpreh:
“Do të jetë një grumbullim tjetër. Kanë mbetur katër muaj dhe mund të ndodhin shumë gjëra. Kombëtarja të jep këtë mundësi. Do të shohim gjendjen fizike të lojtarëve.
Dua të luajmë në të njëjtën mënyrë, pavarësisht se kush është kundërshtari. Jam shumë i kënaqur me pesë ndeshjet, por jo me këtë të fundit”.
Burimi: botasot.info
