Shkup, 20 qershor – Shteti maqedonas asnjëherë nuk duhet ta mbështetë procesin e bisedimeve me BE-në, i cili do të bëhet bazë për shkatërrimin e shtetëformësisë sonë, duke rrezikuar stabilitetin e brendshëm dhe rajonal me pasoja të paparashikueshme, konsiderojnë nga Instituti për Demokraci. (IDSCS) dhe Instituti për Politikë Evropian (EPI), të cilët sot e prezantuan dokumentin “Vetoja bullgare ndaj integrimeve evropiane: “Çfarë mollë sherri mund të kafshojë Maqedonia?”.
Ata thonë se për “vijat e kuqe maqedonase” është e papranueshme vendosja e mekanizmit për ndjekjen apo zbatimin e Marrëveshjes me Bullgarinë në bisedimet me BE-në përmes Kornizës së bisedimeve. Sipas tyre, Bullgaria duhet të zotohet se nuk do të hapë çështje të reja në mënyrë plotësuese dhe se gjuha maqedonase duhet të jetë pa çfarëdo shtesash. Nga atje, shprehen se nuk guxon të pranohet ndryshimi i Kushtetutës, si kusht për fillimin dhe rrjedhën e bisedimeve, ndërsa pala bullgare duhet ta njohë shprehimisht identitetin maqedonas. Pjesë e “vijave të kuqe” duhet të jetë edhe pamundësimi i keqpërdorimit të së kaluarës historike për qëllime etnopolitike, si dhe parandalimi i gjuhës së urrejtjes nga të dyja palët, duke garantuar lirinë e shprehjes. Si “vijë të kuqe” të fundit ata përmendin punën e Komisionit të historisë, i cili, sipas tyre, duhet të jetë i liruar nga diktati dhe pa kufizim me afate.
Pas fjalimeve hyrëse në këtë manifestim, në të cilin drejtoresha e EPI, Simonida Kacarska, dhe kryetari i IDSCS, Marko Troshanovski, arsyetuan përmbajtjen e dokumentit dhe domosdoshmërinë për t’iu përmbajtur tij, u mbajt panel diskutimi me të cilin u drejtuan ish-zëvendëskryeministri përgjegjës për çështje evropiane dhe ish-ministër i Jashtëm Nikolla Dimitrov, kryetari i Lëvizjes Qytetare Panevropiane Marjan Gjorçev dhe Drejtoresha e Institutit të Shkencave Shoqërore Humaniste, Katerina Kollozova.
Ish-zëvendëskryeministri Dimitrov në fjalimin theksoi se e ka lexuar “propozimin francez”, i cili, siç tha ai, të premten pasdite u është shpërndarë nga Parisi vendeve tjera anëtare të BE-së.
“Për ne kjo punë nuk është diçka e re, sepse, për fat të keq, kemi përvojë me konteste. E tillë ishte çështje me Greqinë. Mirëpo, në këtë nyjë maqedono-bullgare kishim punë me një sërë presidencash – presidenca gjermane, e cila përpiloi propozim të bazuar në shkëmbimin e argumenteve në Berlin, për të cilin shtrënguam duart në praninë e tyre, mirëpo, më vonë pala bullgare ndërroi mendjen, kështu që presidenca portugeze, propozimi i së cilës në njëfarë mënyre ishte huazuar edhe nga presidenca sllovene, dhe tani mbërrijmë te propozimi francez”, theksoi Dimitrovi.
Sipas tij, kompleksiteti i skenës politike bullgare, gjithashtu, ndikon në vlerësimin se në Sofje ka shumë pak vend për ndonjë lëvizje, por edhe në sinjalet që i dërgojmë ne.
“Duhet të pushojmë të japim sinjale se jemi aq të dëshpëruar, saqë nëse bullgarët durojnë edhe pak me veton, do të fitojnë njëqind për qind. Duhet të japim sinjale se vetoja dëmton”, bëri të ditur ai.
Drejtoresha e Institutit të Shkencave Shoqërore Humaniste, Katerina Kollozova, theksoi në panel se është thelbësore të krijohet një përshtypje besimi apo bashkëpunimi tek individët që i besojnë njëri-tjetrit.
“Në kuptimin e rekomandimeve konkrete, propozojmë “anësim” të plotë ose shfuqizimin e komisioneve të historisë. Propozojmë në protokollin që duhet të ekzistojë, por nuk ekziston – kini kujdes, protokolli që përmendet në propozimin francez nuk ekziston. Është një protokoll për implementimin e marrëveshjes, ne nuk kemi protokoll të tillë nuk jemi dakorduar me Bullgarinë, pra vetë dokumenti francez supozon se në një moment do të ketë protokoll siç ka protokoll edhe për Prespën, si çdo marrëveshje normale që ka protokoll”, tha ajo.
Kollozova shtoi se një vit para arritjes së Marrëveshjes së Prespës, u krijua klimë e favorshme për dialog, ku siç tha ajo, “secila palë thyente tabutë dhe thoshte atë që mund t’i duket e pahijshme për veten apo palën tjetër, por u zhvillua dialog i besimit që ndihmoi në arritjen e njëfarë zgjidhjeje”.
Kryetari i Lëvizjes Qytetare Panevropiane, Marjan Gjorçev, theksoi se qasja jonë ndaj bisedimeve me Republikën e Bullgarisë është e gabuar tashmë 31 vjet.
“Prej 15 janarit të vitit 1992 ne kemi heshtur, në njëfarë mënyre jemi në gjendje ndërvarur, ndaj mburrjes së tyre që na kanë njohur të parët, ne kurrë nuk përgjigjemi po, por kjo është teza juaj se Maqedonia është vend bullgar, prandaj na njohët, nuk e njohët gjuhën maqedonase dhe kombin maqedonas”, bëri të ditur ai.
Sipas tij, ky është problemi kryesor dhe, siç u shpreh, kështu “kemi vazhduar edhe tutje”.
“Çdo qeveri – strategji ad-hok, çdo qeveri – e ka trajtuar politikisht problemin me interpretim politik, e problemi nuk është politik, problemi është gjuha, identiteti, kultura, problemi është në historinë”, bëri të ditur ai.
Gjorçevi konsideron se bisedimeve u qasemi shumë rastësisht, vetëm politikisht dhe gjithmonë e shohim problemin se mund të bëjmë interpretim politik të të gjitha këtyre gjërave kyçe që “paraqesin thelbin e Maqedonisë”.
Sipas IDSCS dhe EPI, futja jashtëzakonisht e hershme e bashkësisë bullgare në Kushtetutë, që mund të komplikohet gjatë bisedimeve, mënyra se si do të interpretohet nga Bullgaria, si dhe mekanizmat që janë përfshirë në “propozimin” aktual jozyrtar të Presidencës franceze janë pjesë e rreziqeve kryesore në dokumentin.
Nga ngjarja e sotme ata kërkuan që Kuvendi që sot të thërrasë seancën për “propozimin francez”.