Çmenduria për “GTA 6”, mijëra punëtorë kërkojnë pushim për të luajtur

Për shkak të publikimit të videolojës shumë të pritur “GTA 6“, në Belgjikë është regjistruar një rritje prej plot 66 për qind e kërkesave për pushim nga puna në sektorin privat për datën 19 nëntor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Kështu bëhet e ditur nga të dhënat e publikuara nga kompania “Acerta”.

“Është e mundur që mijëra punonjës të marrin një ditë pushim në mënyrë që të mund ta luajnë lojën e re. Sipas informacioneve tona, personat që kanë paraqitur kërkesa janë më të rinj se 30 vjeç”, raportoi televizioni belg VRT.

Sipas vlerësimeve të kompanisë, nga 10.000 deri në 15.000 punonjës në sektorin privat mund të marrin ditë pushimi të enjten.

Rritje e kërkesave për pushim është regjistruar edhe në Holandë, ku janë shënuar 21 për qind më shumë mungesa të planifikuara për atë ditë. Ndërkohë, në SHBA, vendin ku është krijuar videoloja, pothuajse çdo i pesti punonjës dëshiron të marrë një ditë pushim për të shijuar vazhdimin e ri të lojës së njohur.

Kompania amerikane “BambooHR”, e cila ofron shërbime në fushën e burimeve njerëzore, pas analizimit të të dhënave të më shumë se 3.4 milionë punonjësve, ka konstatuar se kërkesat për pushim nga puna për atë ditë janë rritur me gati 13 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Sipas të dhënave, gjenerata Z, përkatësisht personat e lindur nga viti 1997 deri në vitin 2012, ka paraqitur më së shumti kërkesa për pushim. Rreth 32 për qind e tyre kanë kërkuar të mos punojnë atë ditë.

Për krahasim, “GTA 5” u publikua në shtator të vitit 2013 dhe deri më sot ka shitur mbi 230 milionë kopje në mbarë botën.

Burimi:TV21